Tiranë, 1 korrik, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha sot gjatë takimit me raportuesit e Këshillit të Europës, se “vendimet e gjykatave janë të padiskutueshme”. Në takimin e zhvilluar në orën 09:00 kreu i LSI-së ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve. Ai ka theksuar se “qytetarët demonstruan vullnetin e tyre në zgjedhjet e tetë majit”. Meta ka shtuar se dëshmi e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe rezultati i ngushtë. “Rezultati i ngushtë është funksionim i plotë i Kodit Zgjedhor”, ka thënë ai.
Meta shtoi se me raportuesit e KiE-së ka ndarë të njëjtën pikëpamje në lidhje me nevojën e reformës zgjedhore në vend.
Deklaratat e Metës u bënë pas takimit me dy reporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës; senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav Grigore Petrenco.
Pas takimit me kreun e LSI-së, dy raporterët janë duke zhvilluar një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Bashkë-raporterët e Komisionit të Monitorimit të AP të KE-së kanë si mision mbledhjen e fakteve për situatën politike që po kalon vendi.
a.k/NOA