Tiranë, 1 korrik 2011, NOA- Ministria e Brendshme gjatë ditës së sotme organizoi Takimin e Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore si dhe prezantoi Planin Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore 2011-2013.
Në këtë takim ku ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, morën pjesë edhe zëvendësministra përfaqësues të ministrive të linjës, përfaqësues të trupit diplomatik, të shoqërisë civile, drejtues të pushtetit vendor në nivel qarku etj.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast kreu i qeverisë theksoi se trafiku i qenieve njerëzore është forma më e turpshme, më kriminale e skllavërisë, është forma më abuzive, më e rëndë e shkeljes së të gjitha të drejtave, e shndërrimit të njeriut në skllav të një sistemi global trafiku.
Më tej, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që plani i veprimit 2011-2013 në këtë fushë të jetësohet, në mënyrë që në zbatim të tij, vendi të ketë arritur objektivat plotësisht në dy vitet që vijnë. Për këtë ai kërkoi një bashkëpunim të gjerë të të gjithë faktorëve, si dhe unifikim të praktikave me vende të ndryshme.
Ndërsa në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u shpreh në takim se nëpërmjet Zyrës së Koordinatores Kombëtare kundër Trafikimit në Njerëz dhe Policisë së Shtetit dhe sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me struktura të tjera qeveritare dhe joqeveritare janë ngritur tashmë kapacitetet e nevojshme në përgjigje të këtij krimi.
“Shqipëria ka adoptuar ligje për të ndjekur penalisht trafikantët, por gjatë këtyre viteve, të gjithë jemi ndërgjegjësuar që vetëm kriminalizimi i trafikimit të qenieve njerëzore nuk mjafton. Legjislacioni ynë i njeh viktimat e trafikimit si viktima që u janë shkelur të drejtat themelore njerëzore dhe u ofron një zinxhir shërbimesh që synojnë rehabilitimin dhe fuqizimin e tyre. Për këtë, janë rishikuar ligjet ekzistuese dhe janë miratuar ligje të reja, që të mbulohen të gjitha aspektet e trafikimit, në mënyrë që të krijohet një suazë gjithëpërfshirëse për të luftuar fenomenin e trafikimit të personave”, u shpreh ministri Nishani.
Në vijim ai nënvizoi se nga viti në vit janë shtuar edhe kapacitetet njerëzore e teknike të Policisë së Shtetit për luftën kundër trafikimit në njerëz, e në veçanti për kontrollin kufitar për të parandaluar këtë fenomen.
Nishani tha se për të gjitha rastet kur ka një dyshim të arsyeshëm për trafikim personash, aplikohet një procedurë ekstra, e ngritur posaçërisht për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit,-theksoi Nishani.
Mësohet se Plani Kombëtar i Veprimit 2011-2013 dhe Raporti Vjetor 2010 janë dokumente të rëndësishme strategjike në të cilat janë pasqyruar qartë të gjitha arritjet, masat, veprimet dhe politikat që do të ndërmerren në kuadër të luftës kundër trafikimit të personave.
a.y/NOA