English

Parashikimi i motit për 2 Korrik 2011

Tiranë, 1 korrik 2011, NOA- Edhe nesër, i gjithë territori shqiptar do të dominohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike pasi vranësirat dhe shirat e dobët do të jenë dominuese. Mesdita do të sjellë intervale me kthjellime në zonat e ulëta dhe bregdetare ndërsa zonat malore do të mbeten me vranësira dhe shira të dobët.

Sipas MeteoAlb, e njëjta situatë meteorologjike do të mbetet edhe në pjesën e dytë të ditës ku shtimi i vranësirave do të rrezikojë të gjithë territorin nga shira të izoluar. Vranësira dhe shira më të dendura do të bien në zonat malore verilindore ndërsa në zonat bregdetare problematike do të mbetet parametri i erës. Gjatë natës do të ketë fuqizim të vranësirave duke gjeneruar shira në veri dhe qendër të Shqipërisë.

Temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshim të dukshëm ato do të qëndrojnë pothuajse konstante si në mëngjes dhe në mesdite.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim jugperëndimor duke bërë që dallgëzimi në det të jetë 3 ballë.

Europa

Nesër, gadishulli Skandinav dhe vendet Balltike do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese gjatë gjithë ditës. Reshje të dendura shiu do të bien në Varshavë, Suedi dhe Norvegji të cilat do të shoqërohen me stuhi të forta ere dhe rrufe. Gjithashtu vranësira dhe shira do të ketë një pjesë e Europës Juglindore, zona e Alpeve dhe gadishulli i Ballkanit, në këto rajone problematike do të jenë edhe stuhitë e forta të erës sidomos në zonat bregdetare. Ndërsa pjesa tjetër e Europës do të dominohet nga moti i kthjellët.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Polonia rrezikohet nga rrebeshe shiu dhe stuhi ere

- Ishujt Britanike rrezikojnë reshje shiu, shkarkesa me rrufe

- Norvegjia rrezikon stuhi ere, shira intensiv dhe rrufe

- Finlanda rrezikon stuhi të forta ere dhe shira intensiv

a.y/NOA

KOMENTE