Tiranë, 1 korrik 2011 NOA- Në ditën kur Polonia ka marrë kryesimin e rradhës së Bashkimit Evropian, kryeministri Berisha ka pritur Ambasadoren e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska, si dhe Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Seki, me rastin e marrjes së Presidencës së radhës së BE-së nga ana e Polonisë.
Berisha u rikonfirmoi ambasadorëve se anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE është dhe mbetet projekt madhor kombëtar dhe se qeveria shqiptare është totalisht e angazhuar dhe e vendosur të ndërmarrë çdo reformë për realizimin sa më shpejt të këtij projekti, si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ambasadorja e Polonisë, theksoi se një nga shtyllat e programit të Presidencës polake së radhës së BE-së është dhe mbetet vijimi i procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihma ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përpjekjet e tyre dhe përgatitjen për anëtarësim sa më të shpejtë.
Presidenca polake e radhës së BE-së do të synojë thellimin e tregut të brendshëm evropian, duke synuar njëkohësisht edhe realizimin e objektivave financiarë, që do të bëjnë të mundur tejkalimin e efekteve të krizës globale. Fusha të tjera prioritare përfshijnë politikat në lidhje me sektorin energjetik, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, promovimin e kapaciteteve intelektuale, duke nxitur inovacionin dhe dijen universitare dhe të gjithanshme, të cilat do t’i shërbejnë botës intelektuale, në veçanti asaj të të rinjve, por dhe si një burim për rritje të mëtejshme ekonomike.
a.q/NOA