Mirditë, 1 korrik, NOA – Një 59-vjeçar është arrestuar pasditen e djeshme nga policia pasi ka kundërshtuar më armë punonjësit e rendit. Preng Medha, me banim në fshatin Rraja e Velës në Mirditë, ka kundërshtuar fillimisht forcat e policisë dhe më pas ka gjuajtur drejt tyre me çifte, duke u rrezikuar serozisht jetën.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:00 në banesën e Medhës, ku punonjësit e policisë kishin shkuar për kontroll, pas sinjalizimit për armëmbajtje pa leje. Pas arrestimit, forcat e policisë kanë sekuestruar armën e gjahut dhe 17 gëzhoja të armës së gjahut.
Pas arrestimit, ndaj 59-vjeçarit ka nisur procedimi penal. Ai akuzohet për 4 vepra penale, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”,”Kanosje për shkak të detyrës” ,“Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë”, parashikuar nga nenet 236, 238, 274 dhe 280 te Kodit Penal.
a.k./NOA