SHBA, 1 korrik, NOA - Ish shefi i FMN-së, Dominik Shtraus Kan, pritet të paraqitet në gjykatë sot në Nju Jork, për të kërkuar ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati mbrojtës, Benxhamin Brafman, i cili po e mbron Shtraus Kanin pas arrestimit të tij më 14 maj me akuzën për sulm seksual ndaj një shërbyese hoteli në Nju Jork.
Sipas New York Times e gjitha akuza e formuluar në ngarkim të Strauss Kahn është e bazuar në gënjeshtra dhe ish udhëheqësi i FMN-së mund të lihet i lirë.
Kamarjerja e cila ngriti akuzat ndaj tij për abuzim seksual, sipas NYT ka gënjyer që nga fillimi. Që nga pretendimet e saj të para më 14 maj, akuzuesja ka gënjyer, i tha NYT një nga ligjvënësit që po merret me çështjen
Edhe pse nga testet mjeko-ligjore u gjetën prova të qarta, prokurorët nuk besojnë më në ato që ka deklaruar kamarjerja.
Sipas NYT gruaja 32- vjeçare e cila është nga Guineja, mund ta ketë bërë këtë me qëllim përfitimin e azilit politik, ose është e përfshirë në aktivitet kriminale, në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Khan dha dorëheqje nga FMN më 19 maj ndërsa më 6 qershor është deklaruar i pafajshëm. Ai është lënë i lirë pasi ka paguar garancinë 1 milion euro, ndërsa që nga ajo kohë është në burg shtëpiak, ku mbahet nën vëzhgim 24 orësh.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 25 vjet burg, ndonëse gazeta “The New York Times” raporton se rasti kundër Shtraus Kan është afër kolapsit.
NOA/RFE