Nga Mustafa Nano
Përpara disa ditësh, të gjitha të përditshmet na bënë me dije mbi një letër të hapur (janë bërë të modës letrat e hapura kohët e fundit) të një avokati nga Lezha, i afërm i njërit prej të vrarëve përpara Kryeministrisë më 21 janar, dërguar në adresë së kryeprokurores Ina Rama. Në atë letër thuhej, se “[kanë kaluar] pesë muaj pa përgjigje nga ana e Prokurorisë dhe Drejtësisë për ekzekutimin barbar, pa paralajmërim dhe pa ‘gjyq’, të Aleksit dhe shokëve të tij të vdekjes në demonstratën e 21 janarit”, se “dëshpërimi ynë për humbjen e pakthyeshme të Aleksit dhe për vrasjen e tij pa asnjë faj, rriten përditë nga vonimi i drejtësisë, nga ndalimi dhe devijimi i hetimeve, nga përpjekjet kriminale për të fshehur krimin”, se “zbardhja e vrasjeve dhe çuarja e vrasësve para drejtësisë është detyra juaj dhe e institucionit që ju drejtoni”, se “[ne të afërmit e Aleksit] po presim me padurim përgjigje nga drejtësia se kush e organizoi këtë gjëmë për familjen tonë”, se “për faktin se u krye para kamerave dhe para syve të të gjithë shqiptarëve, krimi i 21 janarit lindi i zbardhur”, se “për fat të keq, zvarritja e hetimeve për 21 janarin na ka krijuar të gjithëve përshtypjen, se hetimet nuk i drejton prokuroria, por pala e akuzuar”, se “ne sërish po presim drejtësinë, por nuk jemi pasivë në këtë pritje”, dhe se më në fund “ne kemi besuar e besojmë te pluralizmi dhe Kushtetuta, e prandaj e kërkojmë drejtësinë për Aleksin nga Drejtësia; por në qoftë se Drejtësia, në qoftë se ju dhe institucioni juaj na lini pa përgjigje, domethënë na lini vetëm përballë krimit, në kushte vetëgjyqësie, kjo nuk është zgjidhja jonë; nuk do të lejojmë që gjaku i Aleksit të bëhet ujë”.
Disa gazeta e kishin botuar letrën të plotë, disa të tjera e kishin bërë lajm, por për titull kishin zgjedhur të njëjtën frazë: Veproni, ndryshe do të bëjmë vetëgjyqësi për Aleks Nikën! Dhe ish kjo që të bënte më së shumti përshtypje. Unë nuk e di se kush e ka shkruar letrën, por di që në fund ka nënshkruar një njeri me emër e mbiemër, Mark Nika, avokat. Dhe puna ka ardhur deri në atë pikë, sa një avokat, me fjalë të tjera, një njeri që ka studiuar për ligjet, që punon me ligjet, e që di para të gjithëve se të gjitha konfliktet e mundshme në botën moderne e në shoqëritë e civilizuara zgjidhen nëpërmjet ligjit, flet për vetëgjyqësi. Mund të mendohet se te Mark Nika, teksa e lëshon veten në këtë pistë të ‘antiligjit’, ka fituar edukimi parashkollor e jashtëshkollor mbi formimin akademik, por unë e kam më të lehtë të mendoj diçka tjetër. Në Shqipëri nuk ka më sens të drejtësisë; në Shqipëri ka një kolaps të sistemit, të të tërë sistemit; në Shqipëri nuk ka gjë tjetër, veçse një bandë që bën ç’i ka ënda. E në këto rrethana, një njeri që flet për vetëgjyqësi, qoftë ky dhe një avokat, nuk ka pse të na çudisë. Mund ta qortojmë si sjellje (nëse mobilizojmë të gjithë edukatën civike që disponojmë), por nuk kemi pse të çuditemi. Keni provuar ta vini veten në rolin e Mark Nikës, i cili ka parë t’i vritet nipi faqe botës, ka parë Gardën e Republikës që ka qëlluar mbi turmën ku ish Aleks Nika, ka dëgjuar ministra që kanë folur për vrasje të protestuesve nga vetë protestuesit, ka parë Kryeministrin që ka justifikuar vrasjet me rregulloren e gardhit, brenda gardhit, jashtë gardhit, ka parë Kryeministrin që ka thënë se mund të vriteshin katër e katërqind vetë, ka parë Kryeministrin që bash ditën që po varrosnin të vrarët e 21 janarit, shpërndante dekorata fillimisht për një “vajzë-heroinë” që u kish bërë karshillëk demonstruesve, e për këtë arsye “ish masakruar” me një çadër kineze në shpinë, e më pas për një “gardist-patriot”, që kish gjetur kohë e guxim të ngrinte nga toka një flamur kombëtar në momentin e kiametit, ka parë Kryeministrin që ka folur për plumba rikoshetë, ka dëgjuar Kryeministrin që u është drejtuar kryeprokurores e Presidentit të Republikës me termat “lavire e horr bulevardi”, ka parë se Kryeministri ka refuzuar zbatimin e urdhrit të prokurorëve mbi ndalimin e një numri gardistësh, ka parë që një nga urdhëruesit e asaj ploje, Lulzim Basha, po gradohet në postin e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe po merr statusin e qytetarit nr. 1 të kryeqytetit etj., etj? Provojeni ta vini veten në rolin e Markut, dhe nuk keni për t’u çuditur! Mund t’mos e përfytyroni veten në akte e aksione vetëgjyqësie (shyqyr!), por nuk besoj se do të shock-oheni në rrethanat, që dikush tjetër, në rastin tonë Mark Nika, kërcënon me vetëgjyqësi.
Ne jemi në situatën kur thithim më shumë sens padrejtësie se sa oksigjen, jemi në situatën kur sistemi ka rënë i tëri, jemi në situatën ku nuk funksionon asgjë tjetër, veç vullnetit të një bande me pushtet, jemi në situatën kur kjo bandë plaçkit nëse i duhet të plaçkitë, vret nëse i duhet të vrasë, vjedh votat nëse i duhet të vjedhë, i blen mediat e gazetarët nëse nuk arrin t’i nënshtrojë, i blen ndërkombëtarët edhe nëse s’arrin t’i blejë (nuk është lojë fjalësh), dhe të gjitha këto i bën faqe botës. Dhe unë jam me idenë se kjo punë s’ka për të vazhduar gjatë. Banda me pushtet, përpara se të frikësohet e të shqetësohet nga Mark Nika, që kërcënon të vërë drejtësi në vend me akte vetëgjyqësie, duhet të frikësohet e shqetësohet nga qindra mijëra të tjerë, të cilëve ka filluar t’u duket si tepër absurde të paguajnë taksa, tatime, fatura e deri gjoba për kundërvajtje banale (parkim i gabuar, shpejtësi e lartë në superstradë etj.), ndërkohë që ca e cave nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, ndonëse bëjnë krime të ububushme.
Post-scriptum: Para dy ditësh, diku mbi Komunën e Parisit, pranë barit ku pi kafenë e mëngjesit, më zunë sytë një grup me policë (ishin katër, dhe s’mora vesh në ishin të bashkisë a të qeverisë; por kjo s’ka fare rëndësi). Njëri prej tyre po hahej me dikë që ish ulur në trotuar, ndërsa tre të tjerë i rrinin pas shpinës, si për t’i mbuluar krahët. Bëra kryet mënjanë për të futur në konin e vështrimit të gjithë skenën e ngjarjes, dhe pashë se po i çirreshin një djali të ri, i cili kish zënë një pjesë të trotuarit, ngaqë ish duke shitur ca prodhime bujqësore (kryesisht perime të fshatit). Ai djalë këmbëngulte të rrinte, ndërsa policët i kërkonin të ngrihej, pasi ajo shitje mbi trotuar ishte e paligjshme. Dhe në fakt, mendja të thotë se ajo që po bënte ai djalë, një nga pak njerëzit e ndershëm në këtë vend (ndryshe, nuk do të shiste qepë e domate në trotuar), nuk ishte e ligjshme (nuk lejohet të shesësh në trotuar). Më në fund, njëri prej policëve zuri t’u binte me këmbë arkave të mbushura me perime të freskëta, dhe po kërkonte të jepte përshtypjen se mund t’i kthente përmbys nga çasti në çast. Presioni u bë i madh, dhe djali, pa ç’pa, ngriti mall e gjë dhe u largua. Nuk është çudi që në atë moment të ketë pyetur veten: ç’dreqin kanë këta policë që më ndalojnë mua të mbijetoj? Pse një ministër, të cilin e pamë të gjithë në TV duke folur për tangjente me bllok në dorë, e lënë të marrë pjesë në garën elektorale e të kërcënojë prokurorinë, ndërsa mua s’më lënë të mbaj frymën gjallë?
Duhet të jenë me mijëra njerëzit që bëjnë arsyetime “subversive” të këtij lloji. Nuk është vetëm Mark Nika.
Gazeta "Shqip"