Ulqin, 01 Korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Gjatë qëndrimit të tij në Malin e Zi në kuadër të Samitit të SEECP, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi qytetin e Ulqinit ku u mirëprit nga Kryetari i Komunës, z. Gëzim Hajdinaga.
Në këtë qytet, Topi zhvilloi një takim me përfaqësues të partive politike shqiptare në shtetin fqinj si p.sh. Kryetarin e Alternativës Qytetare Shqiptare, z. Gjergj Camaj, Kryetarin e Forcës së Re Demokratike, z. Nazif Cungu, Kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik, z. Ali Doda si dhe përfaqësues të tjerë të Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Partisë për Prosperitet Demokratik. Në këtë takim, kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje rolin e rëndësishëm të partive politike shqiptare në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Malit të Zi dhe të identitetit të tyre kombëtar, kulturor, gjuhësor e fetar.
Presidenti nënvizoi faktin se përpjekjet e këtyre partive politike duhet të karakterizohen nga maturia dhe përpjekjet për të zgjidhur me dialog kërkesat e tyre ndaj pushtetit qendror dhe administratës, ndërkohë që ndërgjegjësimi i tyre për pjesëmarrje aktive në jetën politike dhe administrative të vendit tashmë është i dukshëm.
“Duhet të jeni të bashkuar duke dhënë gjithsekush diçka nga vetja. Duhet bashkëpunim dhe dialog mes jush për të përfaqësuar më së miri interesat e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi, që shërbejnë si urë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, - u shpreh Presidenti i Republikës në këtë takim.
a.q/NOA