Tiranë, 1 korrik 2011, NOA- Në një deklaratë të përbashkët Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kanë shprehur notën e protestës së tyre për ndalimin e një grupi gazetarësh shqiptarë dhe të disa bashkëqytetarëve për të hyrë në territorin grek nga pikëkalimi kufitar i Qafë-Botës më 25 qershor të këtij viti.
Në deklaratë theksohet se, ndalimi i hyrjes së gazetarëve Anisa Kadesha, Enrik Mehmeti, Lulzim Isufi dhe Shpëtim Muho, që do të pasqyronin vizitën e deputetit Dashamir Tahiri është një shkelje e të drejtës për informim, një e drejtë e sanksionuar në konventat ndërkombëtare ku aderojnë si Shqipëria ashtu edhe Greqia.
Për më tepër, argumentimi se grupi i gazetarëve, të cilëve iu vendos kryq në pashaportë, përbëjnë rrezik për rendin publik në Greqi është një argumentim absurd.
Ndalimi i grupit që shoqëronte deputetin Dashamir Tahiri është gjithashtu një shkelje e kushteve të liberalizimit të vizave mes vendeve të zonës Shengen dhe Shqipërisë, dhe si pasojë një shkelje e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Klubi i Patriotëve të Rinj i bëjnë thirrje shtetit shqiptar që të kërkojë sqarime në lidhje me këtë incident ndaj autoriteteve shtetërore greke dhe të sigurojë që në asnjë rast të mos përsëriten ndalime të këtij lloji, pasi kjo cenon jo thjesht standardet profesionale të gazetarisë, por mbi të gjitha një të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, për informim të lirë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Klubi i Patriotëve të Rinj fton Ambasadën e Republikës së Greqisë në Tiranë që të përcjellë në instancat drejtuese të saj këtë rast të rëndë të ndodhur në pikëkalimin e Qaf-Botës dhe të ofrojë garancinë se gazetarët shqiptarë nuk do të ndalohen të pasqyrojnë evente, aktivitete dhe vizita, të cilat përbëjnë interes për opinionin publik.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Klubi i Patriotëve të Rinj kërkojnë që shteti shqiptar dhe shteti grek të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, si pjesë e marrëveshjes së liberalizimit të vizave ndërmjet vendeve anëtare të zonës Shengen dhe Shqipërisë.
Sakaq në reagimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe Klubit të Patriotëve të Rinj, thuhet se profesioni i gazetarëve është që të ndjekin dhe të pasqyrojnë aktivitete apo vizita të ndryshme; në asnjë rrethanë pasqyrimi i një ndodhie nuk mund të përbëjë rrezik për rendin publik të askujt.
a.y/NOA