SHBA, 1 korrik, NOA – Ish-Sekretari i Shtetit të SHBA, Xhejms Bejker, në një analizë të gjatë në revistën “Foreing Policy” ndalet në situatën në Shqipëri. Bejker kujton vizitën e tij në vitet 1990 në Tiranë dhe mesazhet që ka dhënë për demokracinë.
Sekretari i Shtetit i SHBA, Xhejms Bejker, ka vizituar më 22 qershor 1991, duke shënuar dhe vizitën e parë më të lartë të SHBA në Tiranë pas 45-viteve komunizëm. Në artikullin e tij, ai thekson se në vitin 1991, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, ai mbërriti në Tiranë për të dhënë mesazhin e demokracisë. “Në një platformë prej druri në sheshin kryesor të Tiranës para 300 mijë njerëzve dhe mijëra të tjerëve që më shoqëronin deri në aeroport unë thashë se ‘liria punon dhe ju jeni të lirë të mendoni”, shprehet Bejker.
Bejker shton se sot ka edhe një mesazh tjetër për shqiptarët: “Po liria punon, por punon më mirë kur qytetarët e ruajnë respektin e zjarrtë për të”.
Ai vlerëson arritjet e Shqipërisë, si hyrjen në NATO dhe hapat për në BE, ndërsa thekson se kriza politike ka sjellë probleme në vend. Duke folur për zgjedhjet në Tiranë, Bejker sjell në vëmendjen debatin në SHBA mes Bush dhe Al Gore në vitin 2000 për zgjedhjet në Florida.
Në analizën e tij, Bejker shprehet se sistemi i SHBA dhe Shqipërisë është i ngjashëm. Ai thekson se në fund të procesit në SHBA, Al Gore pranoi vendimin e Gjykatës Supreme. Të njëjtën gjë, sipas tij do të kishte bërë dhe Bush nëse mandati do t’i ishte dhënë Al Gore. Ky model, i respektimit të institucioneve duhet të merret dhe për bazë ne Shqipëri
“Më 27 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që Basha kishte fituar me 93 vota, edhe pse socialistët janë ankuar për këtë në Kolegjin Zgjedhor, i cili tani do të duhet të vendosë mbi zgjedhjet Tiranë për një të tretën herë. Opozita nuk mund të jenë plotësisht të kënaqur me rezultatin - ashtu si shumë demokratë amerikanë ende shprehin zhgënjimin me mënyrën e fitores së Bushit në vitin 2000. Ajo që mbetet për tu parë është nëse ajo (opozita) do të pranojë vendimin që ka dalë nga procesi ligjor”, shkruan Bejker në analizën e tij.
Duke folur për ngjashmërinë mes Floridas dhe Tiranës, Bejker thotë se “kandidatët konkurrues duhet të jenë të përgatitur për të pranuar rezultatet e atij procesi”.
a.k/NOA