English

Zbardhet takimi Berisha-Raportues: Të hapur për bashkëpunim me opozitën

Tiranë, 1 korrik 2011, NOA- Pak minuta më parë është zbardhur takimi i mbajtur gjatë ditës së sotme mes Kryeministrit Berisha priti me bashkëraportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Raportuesit senatori çek Tomas Jirsa dhe deputeti moldav Grigore Petrenco, ndodhen në Shqipëri me një mision faktmbledhës ku gjatë ditës së sotme janë takuar edhe me kreun e opozitës Edi Rama si dhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se që në fillim të takimit, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e mirë që Shqipëria ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe me Asamblenë Parlamentare dhe Këshillin e Evropës, si dhe i falënderoi ata për një sërë programesh të KE-së për Shqipërinë, që po japin një kontribut të rëndësishëm në shumë fusha.

Nga ana e tij senatori çek Tomas Jirsa e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i rikonfirmuar atij vullnetin edhe të institucionit që ata përfaqësojnë, për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit.

Në vijim të takimit u vlerësuan një sërë arritjesh të rëndësishme në fushën e infrastrukturës ligjore dhe asaj teknike që mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Ndër këto arritje, senatori çek Jirsa veçoi regjistrin elektronik qendror të shtetasve, prej të cilit del më vonë edhe lista e votuesve, duke theksuar se si rezultat i realizimit të këtij projekti të rëndësishëm, Shqipëria përfitoi edhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, çka senatori çek e cilësoi si një arritje madhështore për vendin.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me të gjitha zhvillimet për sa i përket zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe u rikonfirmoi vullnetin dhe vendosmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar në mënyrë tërësisht të hapur e transparente me opozitën, për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013, por dhe reforma të tjera që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe bashkëpunim midis mazhorancës dhe opozitës.

a.y/NOA

KOMENTE