Uashington, 1 korrik NOA/ VOA- Në një artikull të botuar në revistën prestigjoze amerikane Foreign Policy, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, i bën thirrje Shqipërisë të respektojë sundimin e ligjit, që përbën kuadrin e një demokracie të rregullt. Zoti Bejker, i cili mbahet mend në Shqipëri për pritjen e pashembullt entusiaste që iu bë gjatë vizitës së tij 20 vjet më parë në Tiranë, shkruan se bllokimi i vazhdueshëm politik i vendit rrezikon perspektivën e integrimit të tij të mëtejshëm në institucionet evropiane dhe globale.
Ish-Sekretari i Shtetit merr si shembull zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
“Sigurisht, thotë Zoti Bejker, unë e di mirë se ç’janë zgjedhjet me rezultat tepër të ngushtë sepse në vitin 2000 kryesoja ekipin ligjor të zotit Xhorxh Ë. Bush gjatë rinumërit të votave në shtetin Florida.” Përvoja ime në rinumërimin e Floridës gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane, më ka dhënë disa mësime, që mendoj se mund të zbatohen sot në Shqipëri,” shkruan zoti Bejker.
“Kur kufiri që ndan kandidatët është tepër i hollë, mund të gjesh argumente të pafund lidhur me çështjen nëse një pjesë e caktuar e votave është numëruar apo jo si duhet. Numërimi i votave është një art po aq sa edhe një shkencë, dhe, kur zgjedhjet përfundojnë me një rezultat aq të ngushtë saqë çdo votë mund të ndikojë mbi rezultatin, atëherë del se gjykimi njerëzor ka një ndikim të madh mbi procesin e numërimit. Në raste të tilla, secila palë mund të nxjerrë argumente bindëse se përse votat duhen numëruar në atë mënyrë që e lejon atë të fitojë.Dhe, nëse argumenti i saj nuk pranohet, është joshëse të pretendosh se zgjedhjet ‘u vodhën’,” shkruan zoti Bejker në revistën Foreign Policy.
"Kur zgjedhjet janë me rezultat tepër të ngushtë, thotë ish Sekretari i Shtetit, është e kotë të sugjerosh se dyja palët duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje me negociata apo me dialog. Në Florida në vitin 2000, nuk ishte e mundur një zgjidhje me negociata mes Xhorxh Ë. Bushit dhe Al Gorit dhe, sigurisht, kjo nuk është e mundur as sot në Tiranë. Njëri kandidat do të fitojë, tjetri do të humbasë. Po kështu, nuk do të ishte e përshtatshme në këtë rast mosnjohja e rezultatit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.”
“E vetmja mënyrë për zgjidhjen e rasteve si Florida në vitin 2000 dhe Tirana sot, është të kesh një proces të besueshëm dhe të drejtë për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme të ligjit dhe të faktit e pastaj të shpallësh fituesin. Dhe kandidatë konkurrues duhet të jenë të gatshëm të pranojnë rezultatin e këtij procesi.”
“Më në fund, siç e dimë të gjithë, Gjykata e Lartë vendosi në favor të zotit Bush. Zoti Gore mund të mos e kishte pranuar rezultatin dhe ta kishte futur në kaos qeverinë amerikane. Por ai nuk e bëri këtë. Në të vërtetë, fjalimi dinjitoz me të cilin zoti Gore e pranoi humbjen, ishte një model për raste të tilla. Të dy ata e kuptuan se historia do t’i kishte gjykuar ashpër nëse do të kishin vënë interesin e tyre personal mbi interesin e popullit amerikan, siç përcaktohet nga sundimi i ligjit.”
“Në fund, sistemi amerikan funksionoi. Vërtet që ishte një zgjedhje me rezultat të ngushtë, por nuk pati trazira ose tanke në rrugë - vetëm disa demonstrata paqësore. Rezultati? Amerika edhe një herë përjetoi një transferim paqësor të pushtetit.”
“Shqipëria është me fat që ka një kuadër ligjor të ngjashëm - Kolegji Zgjedhor e saj dëgjon apelimet ndaj vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve – për të zgjidhur në mënyrë të drejtë çështjet e diskutueshme. Kolegji Zgjedhor i Shqipërisë përbëhet nga tetë anëtarë të zgjedhur me short nga radhët gjyqtarëve të apelit. Anëtarët e zgjedhur rastësisht të Kolegjit Zgjedhor janë emëruar në kohë të ndryshme nga qeveritë e të dy partive të mëdha politike. Dhe të dy vendimet e tij deri më sot për zgjedhjet e Tiranës kanë qenë të njëzëshme.”
“Më 27 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që Lulëzim Basha kishte fituar me 93 vota, edhe pse socialistët po e apelojnë këtë në Kolegjin Zgjedhor, i cili tani do të duhet të vendosë mbi zgjedhjet Tiranë për të tretën herë. Megjithëse opozita mund të mos jetë plotësisht e kënaqur me rezultatin - ashtu si shumë demokratë amerikanë ende shprehin zhgënjimin me fitoren e zotit Bushi në vitin 2000 – ajo që mbetet për t'u parë është nëse opozita do ta pranojë vendimin që ka dalë nga procesi ligjor i themeluar në vend”, ka përfunduar Bejker.
a.q/NOA