English

A ka gazetarë apo jo?

Nga Artan Fuga

Kohët e fundit ndihet që ka një çështje të hapur shoqërore tek ne, e cila ka të bëjë me “mediat pa gazetarë” ose me ato ku roli i gazetarit ka dalë në dorë të dytë. Ku duket kjo gjë që po e bëj objekt të këtij shkrimi? Së pari, sepse në zgjedhjet lokale të 8 majit për kryetarin e Bashkisë të Tiranës mediet televizive, disa prej tyre më shumë, bënë përpjekje të lavdërueshme për ta pasqyruar procesin e votimit në qendrat zgjedhore të qytetit të Tiranës duke e mbuluar nga shumë afër, duke e paraqitur në ekran pothuajse çdo votë sikur të ishin intramedia të sallës së numërimit të votave apo sikur të kishin qenë kamera vëzhguese në mjedise me detyrë sigurimi të lartë të rendit publik.

Ekrani i qendrave të votimit dhe ekrani televiziv i medieve televizive gjeneraliste, i disa prej tyre, pati momente që u njehsuan me njeri tjetrin, u mbivendosën.

Atë që transmetonte ekrani i qendrës së votimit, votat në numërim e sipër, po atë transmetonte edhe ekrani i ndonjë televizioni. Sigurisht me dëshirën e mirë për të dhënë një informacion të çastit, të freskët, në një lidhje të drejtpërdrejtë, pa shumë komente nga ana e gazetarit, pa vijësjellje seleksionuese të informacionit të marrë prej kamerave në qendrat e votimit, pra gati si një lidhje direkte e ekranit të vogël televiziv me ekranin e madh të sallës të numërimit të votave.

Ideja ka qenë e mirë. Është nisur nga hipoteza se sa më shumë që media televizive të jetë afër dhe sa më gjatë pranë procesit të votimit aq më mirë për demokracinë, aq më mirë për transparencën e zgjedhjeve, pra është menduar se teknologjia prodhon vetiu demokratizim dhe standarde të shtetit të së drejtës.

Arsyeja e dytë e vendosjes së kësaj çështjeje në rend të ditës ka të bëjë me hovin e madh që kanë marrë komunikimet në Internet, blogjet, si edhe Facebook-u apo komunikimet e tjera numerike ku shkëmbimet kryhen drejtpërdrejt mes individëve brenda audiencës që është njëkohësisht edhe burim informacioni, pra ku roli i gazetarit është krejtësisht i munguar.

Liri e madhe.

Media pa pronarë, pa gazetarë, pa hierarki, pa ndërfutje të politikës, të interesave etj., etj. Gati-gati, si një lloj vërtetimi po vjen edhe jehona nga revolucionet arabe, apo nuk e di si po i quaj, ku sikurse thuhet komunikimi numerik, telefonia celulare, blogjet, twiterat etj., thuhet se qëndrojnë në themel të asaj që pati për pasojë mobilizmin e masave kundër sundimeve autoritare pse jo edhe tiranike.

Ky është konteksti i çështjes në vija të përgjithshme, sa lokal – shqiptar, aq edhe ndërkombëtar. Duke se më në fund u gjend ilaçi për të kuruar demokracinë, për të zgjidhur problemin e transparencës, për ta sjellë zërin e qytetarit në hapësirën publike, pra edhe për të krijuar burime informacioni alternative. Teknologjia duke se i erdhi në ndihmë emancipimit të modeleve sociale dhe politike që kemi në përdorim.

Megjithatë këtij optimizmi i duhen venë disa kufij se mund të sjellë dëme, zhgënjime dhe pasoja që nuk janë edhe aq të këndshme.

Pse çfarë të keqe ka ? – do të pyesnin të pasionuarit pas teknologjisë të komunikimit dhe të informimit.

Sigurisht që teknologjia ka bërë të mundur demokratizimn e hapësirave publike në të gjitha ato aspekte që dihen. Nuk është vendi t’i numërojmë sepse do të ishte e kotë para një publiku që e di këtë anë të rolit të teknologjisë në përmirësimin e komunikimit publik.

Mirëpo një media e re e ka pasur pothuajse të pamundur që të eliminojë një media të vjetër. Prandaj thuhet se në media nuk ka histori, për arsye sepse aty e vjetra, klasikja, nuk ia le vendin të resë, por i hap vend asaj. Aq më tepër që krijohen sinteza mes teknologjive klasike dhe atyre bashkëkohore, pra ndodh një rimodelim i funksioneve të medieve klasike në kushtet e reja.

Mirëpo jo çdo gjë bëhet transparente nga ana e kamerave, aq më tepër kur ato kanë më shumë paraqitjen si teknologji, dhe nuk investojnë në mënyrë të ndjeshme edhe punë gazetari.

Si është e mundur që ta zëmë në zona të tjera zgjedhore ku media ishte shumë pak ose aspak e pranishme ditën e votimit apo të numërimit të votave nuk pati probleme lidhur me procesin e numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit, kurse në Tiranë ku mbulimi nga media televizive ishte pothuajse direkt, procesi i votimit si edhe ai i numërimit të votave, i trajtimit të proces-verbaleve etj., pati dhe vazhdon të ketë probleme të pafundme?

Me një fjalë, përse në Elbasan, Fier, Mallakastër, Dibër a gjetiu, ku kamera e televizionit nuk ishte e vendosur mbi ekranin e paraqitjes të fletëve të votimit në sallën e numërimit të votave, nuk pati probleme me procesin zgjedhor, kurse, përkundrazi, në Tiranë, ku mbulimi mediatik me imazh ishte si asnjëherë tjetër, - kjo gjë nuk ndihmoi aspak për të eliminuar peripecitë elektorale?

Nuk ka nevojë për shumë analiza të detajuara për të thënë paraprakisht se kjo e dhënë dëshmon edhe një herë tjetër që teknologjia e informacionit masiv, sado e përparuar të jetë, nuk mund të zgjidhë automatikisht problemet e demokracisë.

Në radhë të parë, kamera nuk mund ta zgjidhë plotësisht problemin e transparencës të procesit të votimit apo atë të numërimit të votave sepse nuk është e kudondodhur dhe asnjëherë nuk mund të pretendojë të mbulojë gjithçka me informacion.

Vendosja e kamerës mbi fletën e votimit nuk ka aspak besueshmëri absolute. Sikurse ka thënë një nga specialistët më të njohur të komunikimit Paul Wacklavick, asnjëherë informacioni në komunikim nuk mund të ketë besueshmëri absolute. As regjistrimi i votave në kamerat televizive nuk përjashtohet nga ky rregull. Tjetër është çështja nëse informacioni i regjistruar atje është apo jo i saktë, nuk përjashtohet të jetë i tillë, dhe krejt tjetër problemi i krijimit të besueshmërisë absolute ndaj tij.

Për të mos thënë që ndjekja direkte e informacionit mbi zgjedhjet pati si pasojë që aktorët politikë të njohur me këtë informacion të ndryshonin sipas rastit sjelljen e tyre karshi procesit të votimit dhe të sillnin kështu pasoja negative mbi të.

Kamera dhe gazetari nuk janë e njejta gjë.

Nuk mund të zvogëlohet roli i pazëvendësueshëm analitik dhe kritik i gazetarit, i cili nuk mund të thjeshtëzohet në një rol kameramani, i cili edhe ky ka detyrat e tij shumë fisnike dhe të rëndësishme. Roli i gazetarit është në radhë të parë në analizën kritike të informacionit që kamera sjell në ekran. Ai seleksionon, relativizon, kritikon, analizon pa u bërë në asnjë rast thjesht një aktor që bën vetëm paraqitjen e të dhënave bruto të një informacioni që vjen nga numërimi i votave pranë qendrave të votimit.

E njëjta situatë paraqitet edhe me komunikimin numerik në Internet në mediet e reja. Sigurisht që ka miliona e miliona faqe web, Facebook, Twiter etj., që e realizojnë këtë komunikim. Por, edhe aty ndihet mizorisht roli i gazetarit që është i plotë në mediet e ashtuquajtura klasike.

Mediet e reja online janë ndryshe media ku është vetë audienca që e kërkon dhe e ndërton informacionin, kurse mediet klasike, sado rutinë që të duken, shtypi i shkruar, radioja, televizioni, janë media që ia propozojnë audiencës informacionin masiv. Pra të parat janë media aktive që kërkojnë informacion, kurse të dytat, klasike, janë media që propozojnë informacion për audiencën.

Mirëpo veç të tjerash mediet e reja kanë probleme të qenësishme lidhur me shpërqendrimin e informacionit.

Informacioni atje është shumë, skajshmërisht i shpërndarë. Një individ, sado i pasionuar të ketë qenë pas medieve online, përsëri mund të ndjekë vetëm një numër shumë të kufizuar burimesh informacioni të dhëna nga mediet e reja. Pjesa tjetër e informacionit, veç disa thërrimeve, është e pamundur të jetë e tillë që ai të ketë atje akses. Kurse në mediet klasike informacioni është i stokuar, i seleksionuar, i përpunuar nga specialistët dhe profesionistët e komunikimit masiv që janë gazetarët. Ata kryejnë filtrimin, orientimin e fluksit informativ, dhe na japin mundësi që ta gjejmë të përmbledhur në këtë apo atë media. Sigurisht me rreziqet e veta edhe ky proces, por përsëri edhe me avantazhe të dukshme.

Nuk po flasim këtu për besueshmërinë e informacionit në mediet online, sepse në fund të fundit ky është një problem që mbetet edhe për mediet klasike me specifikat e veta.

Gjithsesi, një problem strukturor mbetet meqë qarkullimi i informacionit në mediet e reja është kryesisht një informacion “klanor”. Kemi rikthimin e “klanit” pikërisht në Internet që paraqitet si medie planetare.

Jo më kot e kemi vendosur në thonjëza, por për të treguar se ai grumbullon rreth vetes “miqtë” e filanit dhe të filanit. Shumë mirë, shumë bukur, por kemi krijime komunitetesh virtuale, që gati zëvendësojnë lidhjet sociale reale. Komunikuesit, porsi brenda një klani janë pothuajse dakord me njeri tjetrin, potencojnë pasionet e njeri tjetrit, janë brenda një autizmi komunikativ gati të sëmurë.

Por, ama mbesin përsëri rrethe “miqsh”, pra grupe të mbyllura në interesa dhe këndvështrime. Në këtë mënyrë opinioni publik sikurse thoshte Dominik Wolton lidhur me televizionin tematik, çahet e përçahet, kthehet në një realitet tepër të fragmentarizuar, duke bërë që kohezioni social i shoqërisë të pësojë dëmtime jo të pakta.

Mediet online veç rrezikut që krijon anonimiteti, që nuk ka të bëjë me qytetarinë, por shpesh i paevitueshëm dhe edhe me pasoja pozitive, kanë edhe një problem tjetër. Mediet e reja shpesh iu ngjajnë medieve komunitare duke prodhuar një lloj segregacionizmi virtual vlerash.

Agjenda e komunikimit publik merr një goditje brinjë më brinjë. Secili individ ose grup miqsh në Internet ka agjendën e vet të diskutimit. Nuk dihet se cili është prioriteti për shoqërinë, për kombin, për dinamikën e zhvillimeve shoqërore.

Të gjitha këto që u thanë më sipër nuk duhet të keqkuptohen. Kush i kupton si rezistencë ndaj komunikimit në mediet e reja, e them sinqerisht, që nuk ka kuptuar asgjë.

Personalisht mbetem shumë i pasionuar pas komunikimit virtual numerik në Internet. Ai ka sjellë një interaktivitet të paparë në komunikim publik dhe ka futur shtresa shumë të gjera të popullsisë në një komunikim ku hapësirat gjeografike nuk kanë më asnjë rëndësi për komunikimin. Ai ka ndryshuar të gjithë shoqërinë, herë për mirë dhe herë për keq.

Por, në çdo rast mediet dhe komunikimi publik ka nevojë për gazetarin e mirëfilltë.

Sa herë që ndeshim dështimet, keqpërdorimet e komunikimit në internet, thirrja që lind vetiu është: A ka një pilot në avion?

Me fjalë të drejtpërdrejta: A ka gazetarë apo jo?

Me një fjalë, kërkojmë gazetarin. Informacioni masiv pa gazetarin degjeneron, ai është lider opinioni, ai është organizuesi dhe administruesi i informacionit, nuk është teknologjia, sado të magjepsur të jemi ne si brez pas teknologjisë, e cila në çdo hap të ri që bën duket e glorifikuar natyrshëm dhe nuk shihet edhe në mënyrë kritike.

Me një fjalë, pra, kërkohet gazetari.

Gazeta “Standard”

KOMENTE