English

Berisha: Do rrisim pagat dhe pensionet, i vetmi vend me rritje në Europë

Tiranë, 2 korrik, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë se do të rriten pagat dhe pensionet, si shenjë e zhvillimit të ekonomisë. Në mbledhjen ku pritet të merret vendimi i qeverisë për përqindjen e rritjes për çdo kategori, Berisha u shpreh se ky vendim vjen si pasojë e zhvillimit ekonomik, duke e cilësuar Shqipërinë, si vendin e vetëm me rritje ekonomike në Europë

“Ne vendosëm sot rritjen e të gjitha rrogave dhe pensioneve, sepse të gjithë treguesit e kësaj ekonomie dëshmojnë se sërish ekonomia e vogël e shqiptare, por dinamike, do të kryesojë rritjen ekonomike në Europë”, tha Berisha. Duke bërë një parashikim për rritjen ekonomike të vitit 2011, Berisha u shpreh se ajo do të jetë në shifrat e 5 për qind.

“Jo vetëm nuk ka pasur dhe nuk shenja recensioni, e cila është baraz me krizë, por këtë vit rritja ekonomike është rreth 5 për qind. Pra ka një rritje”, tha Berisha. Ai shtoi se kjo rrije ekonomike është pasojë e reformave të qeverisë dhe privatizimeve.

Berisha ka theksuar se vendimi shkon kundër rrymës ekonomike që ndjekin vendet e tjera për të ulur shpenzimet. Por, sipas tij, zhvillimet ekonomike e mundësojnë një projekt të tillë.

“Ky vendim është i pazakontë për shkak të krizës së thellë që ka pllakosur Botën dhe Europën gjatë viteve të fundit dhe që po kulmon me krizën e borxheve. Tingëllon paradoksal, kundërryme, pasi rregulli i sotëm është jo rritja, por ulja rrogave dhe pensioneve dhe varianti më i mirë është ngrirja e tyr. Ndërsa ne, për të gjashtin vit më radhë vazhdojmë rritjen më të madhe të madhe të rrogave dhe pensioneve, në përqindjen më të madhe se çdo vend tjetër në Europë dhe më gjerë”, tha Berisha.

Ai ka bërë dhe një përmbledhje të rritjes së gjashtë viteve të qeverisë së djathtë. Sipas tij, pjesa më e madhe e rrogave janë rritur me 100 për qind.

“Në gjashtë vite rrogat e arsimtarëve, krahasuar me rrogën fillestare janë rritur 120 për qind, po kaq janë rritur rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Kjo politikë bazohet tërësisht dhe kryekëput në suksesin e modelit ekonomik të kësaj mazhorance dhe kësaj qeverie”, tha Berisha.

Sipas tij, jashtë kësaj perfomance, “rritja e rrogave dhe pensioneve do të ishte tërësisht e paimagjinusheme”.

a.k/NOA

KOMENTE