Bruksel, 2 korrik 2011, NOA- Do të mbahet sot raundi i pestë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Mësohet se në fokus të këtij raundi të dialogut do të jetë mundësia e përfundimit të marrëveshjes për gjashtë çështje: Lëvizja e lirë, çështja e tregtisë së lirë, çështja e telekomunikacionit, e energjisë, si dhe kthimi i dokumenteve kadastrale dhe civil. Delegacioni i Kosovës ashtu si dhe herët e tjera do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri si udhëheqëse e delegacionit, ndërsa ai Serb nga Borislav Stefanoviç.
Edhe në këtë raund të dialogut teknik, delegacioni i Republikës së Kosovës do ta shpalos dhe mbrojë qëndrimet e veta të cilat janë në harmoni me Kushtetutën, ligjet, rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
a.y/NOA