Gjiganti elektronik Samsung, i kërkon SHBA që të ndalojë importimin e iPad dhe iPhone. Çështja pritet të zgjasë disa muaj.
Kompania e njohur aziatike e prodhimit elektronik, Samsung i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit të Tregtisë në SHBA, që të ndalë të paktën përkohësisht, importimin e produkteve të kompanisë rivale Apple, si iPhone, iPad dhe iPod. Në bazë të kërkesës së Samsung është një çështje ligjore që ekziston mes dy kolosëve elektronikë.
Kërkesa zyrtare thotë se produktet e Apple, si iPhone, iPod dhe iPad, thyejnë rregullat për standardin e telekomunikacionit dhe shpikjet për komunikimin interaktiv të 5 prej patentave të Samsungut. Gjithashtu, kompania aziatike hapi një tjetër çështje gjyqësore kundër Apple, në një gjykatë në Delaware.
Këto ankesa, janë kapitulli i radhës në sagën ligjore mes dy kompanive elektronike, në një luftë të ashpër mes tyre. Në muajin prill, ishte kompania Apple që hodhi në gjyq Samsung, duke pretenduar se firma nga Koreja e Jugut kishte prodhuar linjën e re të telefonave Galaxy, duke kopjuar iPhone dhe iPad.
Samsung, më pas kundërsulmoi në Kaliforni, duke bërë të njëjtën gjë
Para se të ndalojë importimin e produkteve të Apple, ITC (Komisioni i Tregtisë në SHBA), do të duhet të hetzojë mbi akuzat e Samsung, një proçes që pritet të zgjasë shumë muaj. Apple është një prej pjesëmarrësve në “grindjet” ligjore mes kompanive prodhuese të telefonave dhe firmave të prodhimit të mikroçipeve, që kur kompania amerikane mori hov të madh me lançimin e iPhone dhe iPad.
Samsung ndërkohë, është konfirmuar si një prej prodhuesve më të rafinuar të “smartphone”, por mbetet ende në vendin e dytë, pas liderit të padiskutueshëm Apple.