English

Daniel Godelli shpallet Kampion i Botës për të Rinj

Peshëngritja shqiptare, tjetër sukses në Kampionatin Botëror për Të Rinj që po zhvillohet në Malajzi. Merr dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh

Tiranë, 2 Korrik 2011 NOA/ Altin Kodra - Peshëngritja shqiptare korr një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, pasi Daniel Godelli është shpallur sot kampion i botës për të rinj, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për këtë grupmoshë, që po zhvillohet në Pineng të Malajzisë.

Godelli ka spikatur në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, duke marrë dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh.

Daniel Godelli është shpallur sot kampion i botës për të rinj, pasi peshëngritësi shqiptar ka trimfuar në kategorinë e peshës së tij në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për këtë grupmoshë.

Në këtë kampionat, që po zhvillohet në Pineng të Malajzisë, Godelli ka spikatur në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, duke marrë dy medalje të argjendta, në shkëputje dhe në shtytje, dhe një medalje të artë në dygarësh.

140 kg e ngritura me sukses në provën e parë, i kanë mjaftuar peshëngritësit të vetëm shqiptar në këtë veprimtari botërore, për të marrë medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes.

Në fakt, Godelli, i cili i shkoi dëm dy provat e tjera me 141 kg, e ka humbur medaljen e artë në këtë stil vetëm për shkak të peshës trupore. 330 gramët peshë trupore që shqiptari kishte më tepër se kinezi Peijong Huang i kanë dhënë këtij të fundit vendin e parë në podium në kurriz të Godellit, pasi të dy sportistët kishin ngritur nga 140 kg secili.

Ndërkaq, një provë e vetme me 169 kg, i ka mjaftuar Godellit të marrë një tjetër medalje të argjendtë në stilin e shtytjes, ku peshëngritësit shqiptar përsëri i është mohuar medalja e artë për shkak të peshës trupore.

Ndryshe nga shkëputja, peshëngritësi kuqezi ka qenë afro 1 kg më i rëndë se iraniani Xhaber Behruzi, i cili ka ngritur gjithashtu 169 kg, po aq sa Godelli. Megjithatë, 309 kg e marra në total i kanë dhënë Daniel Godellit medaljen e artë në dygarësh dhe titullin e kampionit të botës.

Në fakt, Godelli i cili ka garuar duke vuajtur ende dëmtimin e pësuar në Evropianin e para disa muajve në Rusi, nuk i ka zhvilluar dy provat e tjera për arsye se nuk ka qenë e nevojshme përsa i përket medaljeve, por edhe për t’u ruajtur nga ndonjë përkeqësim i dëmtimit.

Duhet theksuar se medaljet e Daniel Godellit, janë medaljet e parë që kontinenti evropian merr në këtë Kampionat Botëror të Peshëngritjes për Të Rinj, që po dominohet nga Azia dhe Afrika.

Në vendin e dytë në podium në dygarësh është ngjitur kinezi Peijong Huang, me 308 kg, ndërsa iraniani Xhaber Behruzi ka fituar duelin e peshës trupore me moldavin Artiom Pipa, duke marrë medaljen e bronxtë në dygarësh, pasi të sportistët kishin ngritur nga 303 kg në total.

a.k/e.t/NOA

KOMENTE
  • Filtra Uji Aquaphor21:59 - 02 Korrik 2011
    Bravo shqipe keshtu tregoje se je me dy krena , po nje kujtese mos ti harroj kurre shteti shqiptar keta heronj tu japi vlersimin e duhur mos ti kujoj vetem diten e medaljes . Se mire qe eshte ne kriz Greqia se do ti kishte ber dhe keta grek e do ti mirte.