English

Internacionalja Socialiste: Përmbysja e rezultatit fillestar cënoi ligjshmërinë e votës

Athinë, 2 korrik 2011, NOA, Update – Këshilli i Internacionales Socialiste i mbledhur në kryeqytetin grek, Athinë, në datat 1-2 korrik deklaroi se rezultatet në zgjedhjet lokale të 8 majit treguan një sukses të madh për “Aleancën për të Ardhmen”, e udhëhequr nga Partia Socialiste, e cila fitoi në zonat më të mëdha urbane të vendit.

“IS ka ndjekur me shumë kujdes situatën e krijuar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ku procesi i numërimit të votave u përmbyll me fitoren e kryetarit të bashkisë Edi Rama (PS), ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, me një diferencë prej dhjetë votash nga 250.623 vota”, deklarohet në rezolutën e miratuar nga Këshilli i Internacionales Socialiste.

Internacionalja raporton se “Vendimi i maxhorancës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar votat e hedhura gabimisht nuk u bazua në asnjë dispozitë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

“Përmbysja e rezultatit fillestar është shumë shqetësuese, duke rrezikuar edhe njëherë ligjshmërinë e votës në Shqipëri dhe duke zgjatur tensionin politik ekzistues dhe mungesën e stabilitetit në vend”, thuhet në rezolutën e Internacionales Socialiste.

IS i referohet vendimit të Kolegjit Zgjedhor pas ankimimit të PS-së duke nënvizuar se “deri tani Kolegji Zgjedhor ka treguar pavendosmëri për të bërë drejtësi”.

Në rezolutën e miratuar për krizën e tejzgjatur politike në Shqipëri, që zu fill plot dy vjet më parë, pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit 2009 e vështirësuar edhe më tej pas atyre lokale të 8 majit, Këshilli i Internacionales Socialiste me president kryeministrin grek Jorgos Papandreu, shpreh shqetësimin e thellë për krizën e zgjatur politike në Shqipëri.

Internacionalja Socialiste i bën thirrje autoriteteve shqiptare se parakusht për zhvillimin e mëtejshëm dhe integrimin europian të Shqipërisë është funksionimi i demokracisë përmes mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

mit/NOA

KOMENTE
  • tirana19:26 - 02 Korrik 2011
    po flasin grekte per shqiperine qe nuk dijne se ku do perfundojne vete si shtet,por iken ata koh qe na kan mar gjith historin shqiptare por ska burra shqiperia kta qe jan i terheqin per hunde,te kthehet dhe nje her ali pasha pastaj te flasin socialistet grek.