English

Loboi pro Kosovës në Ukrainë, Topalli përplaset me serbët

Kiev, 2 korrik, NOA – Kanë shërbyer dy evente të rëndësishme rajonale, që kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, të veprojnë në unison për të lobuar në dobi të njohjes së Kosovës shtet i pavarur dhe të drejtave të saj.

Ky fakt është raportuar si nga mediat kosovare, ashtu edhe ato serbe, duke iu referuar kryesisht mediave ukrainase, të cilat kanë komentuar debatin e bërë në Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), në Kiev, mes kryeparlamentares Topalli dhe delegacionit serb të pranishëm.

Konkretisht, në fjalimin e saj, Topalli ka bërë thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë shtetin më të ri të Evropës. shtetin e ri.

Ndërkaq, ka qenë vetë agjencia ukrainase e lajmeve “Interfaks Ukraina”, e cila ka pohuar se delegacioni serb nga ana e tij, ka protestuar ashpër ndaj asaj që e ka quajtur “thirrje jodiplomatike” të Topallit.

Siç bën me dije media serbe “B 92” rreth këtij fakti, kreu i delegacionit të Serbisë, Aleksandër Vllahoviç, ka reaguar menjëherë, duke theksuar se vetëm tre nga vendet 12 anëtare të PABSEC-ut e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se shumica e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po ashtu nuk e njohin atë. Vllahoviç madje vijoi duke thënë se thirrja e Topallit ishte jashtë protokollit, ndërsa ajo sipas tij, duhej të mbante fjalim, vetëm me rastin e marrjes së presidencës së PABSEC-ut nga ana e Shqipërisë.

"Protesta e delegacionit serb ka marrë mbështetje edhe nga delegacionet e tjera," theksoi Vllahoviçi, duke dashur të marrë në mbrojtje reagimin e palës së tij. Ndërkaq, ky “incident” shoqërohet në artikujt përkatës, edhe me faktin se vetëm një ditë më parë, Presidenti shqiptar Bamir Topi u bëri thirrje vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit të Evropës (SEECP), të njohin pavarësinë e Kosovës gjatë një takimi të mbajtur në Sveti Stefan. Sikundër përmendet ndër të tjera edhe fakti se presioni nga vendet e lobimit për pavarësinë e Kosovës ishte gjithashtu i qartë edhe gjatë takimit të fundit të Komitetit të UNESCO-s, për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore në Paris, kur sipas ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremiç, një luftë e vërtetë diplomatike lidhur me përcaktimin e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë.

n.e/NOA

KOMENTE