Shkup, 2 korrik 2011, NOA - BDI publikoi sot zyrtarisht ministritë që do të udhëheqë në koalicionin e ardhshëm qeveritar me VMRO-DPMNE-në e kryeministrit Nikolla Gruevski.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi deklaroi se nga ndarja e ministrive, BDI do të ketë dy poste zëvendëskryeministrash, atë për Marrëveshjen e Ohrit dhe Zëvendëskryeministrin për Integrimin evropian.
BDI do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Drejtësisë, Ekonomisë, Ambientit Jetësor dhe Pushtetit Lokal.
Sipas Ademit negociatat për formimin e Qeverisë së re po zhvillohen sipas dinamikës së parashikuar, por ai bëri të ditur se akoma nuk dihet se cilët kuadro do të udhëheqin këto ministri.
Ademi nënvizoi se negociatat po vazhdojnë edhe rreth harmonizimit të programeve të partive për t’i përfshirë ato në një program të përbashkët qeveritar, si dhe ndarjen në mënyrë të drejtë të vendeve në institucionet qeveritare, gjegjësisht drejtoritë, fondet dhe agjencitë qeveritare.
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi deklaroi se emrat e ministrave dhe funksionarëve të tjerë do të vendosen dhe publikohen në mbledhjen e kryesisë që do të mbahet javën e ardhshme.
Ademi nënvizoi se Ahmeti dhe Gruevski po mbajnë komunikim të rregullt lidhur me zhvillimin e negociatave për formimin e Qeverisë së re.
INA/NOA