Prishtinë, 2 korrik 2011 NOA - Ka ndërruar jetë në moshën 59 vjeçare në Prishtinë, kameramani Faton Kapiti. Që nga fillimi i transmetimeve të programeve të Televizionit 21, kreu me zell detyrën prej kameramani.
Profesionin e kameramanit Faton Kapiti e filloi në Televizionin e Prishtinës në vitin 1981, ku punoi deri në mbylljen e këtij institucioni nga pushteti i atëhershëm i Serbisë.
Që nga ditët e para të RTV21, Faton Kapiti ishte pjesë e pandashme e kolektivit të TV21. “Do ta mbajmë mend gjithmonë si koleg dhe mik tonin, i cili kontribuoi shumë si në realizimin e detyrave të përditshme programore ashtu edhe në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërnjerëzore dhe kolegiale në kolektivin tonë”, - pohon stafi i Tv21. Varrimi i Faton Kapitit do të bëhet të dielën, më 3 Korrik 2011, në orën 17.00 në Varrezat e Prishtinës.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) reagoi dhe tha sot se me keqardhje ka marrë lajmin për vdekjen e papritur të kolegut kameraman në RTV 21, Faton Kapitit.
Kolegu Kapiti punoi par disa vite në TVP, e më pas edhe në RTV21.
Komuniteti i gazetarëve dhe kameramanëve ka humbur një koleg, i cili tërë jetën iu përkushtua kamerës, lajmit dhe raportimit.
Edhe Agjencia e Lajmeve NOA i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kapiti dhe stafit të RTV 21.
a.b/NOA