English

Një turke diplomon mbi mbulimin e femrës myslimane

"Caprasik - Përfshirë e mbështjellë" titullohet diploma e Ayse Tasci. Turkja 28 vjeçe, e martuar me gjerman, përfundoi pak muaj më parë studimet në dizajn komunikimi në "Folkwang Hochschule" në Essen.

Tasci kërkon që me fotografitë e saj ta bëjë vëzhguesin që t'i rrëzojë paragjykimet për gratë që mbajnë shami koke. Myslimania besimtare u rrit në Aydin, një qytet turk në afërsi të Bregdetit të Egjeut. "Prindërit më kanë lënë shumë liri", thotë ajo, shami koke ajo nuk ka mbajtur kurrë. Pas përfundimit të shkollës prej saj, ajo nisi studimin e fotografisë në universitetin Marmara të Stambollit. Në universitetet dhe në shërbimin publik në Turqi ndalohet mbajtja e shamisë së kokës. "Për t'i bërë bisht kësaj, gratë përdorin fantazinë, për shembull mbajnë kasketa ose paruke", thotë Tasci. Në njërën nga fotografitë e saj shihet një grua me paruke.

Myslimanet në Gjermani dhe shamia e kokës

Para shtatë vitesh, Ayse Tasci erdhi në Gjermani. Fillimisht për të mësuar aty vetëm gjuhën. "Atëherë unë fitova një përshtypje të mirë për universitetet gjermane.", thotë ajo dhe prandaj aplikoi në shkolla të ndryshme të larta.

Ajo mori një vend studimi në Essen. Që në fillim të qëndrimit të saj në Republikën Federale Gjermane asaj i ra në sy, që këtu ka shumë gra që mbajnë shami koke. Ajo mësoi edhe se ekzistojnë shumë paragjykime për gratë që mbajnë shami koke. Kështu, shumë besojnë se këto gra shtypen nga burrat ose se ato janë pa shkollë.

Meqenëse Tasci vetë nuk mban shami koke, ajo u habit që gratë myslimane e bëjnë këtë shpesh temë debati. E pyetur për këtë çështje ajo u përgjigj: "Për mua besimi është diçka private. Një lidhje private midis meje dhe Allahut. Për mua është e rëndësishme që ta ndiej këtë lidhje- dhe jo fakti nëse këtë e shohin të tjerët." Reagimi i grave për këtë temë shpesh është pasiguri dhe moskuptim. Tasci ndihet e sulmuar dhe pa gojë. Për të, shamia e kokës kurrë nuk ka qenë temë. Pastaj asaj i lindi ideja që ta përpunonte temën nga ana vizuale.

Gruaja pas shamisë

Ajo donte të fotografonte myslimane të mbuluara në një mënyrë të tillë, që fytyrat e tyre të jenë thuajse të mbuluara, duke i nxjerrë kështu shamitë në plan të parë. Kështu ajo donte të skiconte mungesën e fytyrës së grave dhe të nxirrte në pah humbjen e personalitetit, të cilën e shpalos shamija përmes efektit dekorativ. Me këtë ajo lidhi shpresën, që vëzhguesit e fotografisë të bëhen kureshtarë për njerëzit pas shamisë.

Por nuk ishte kaq e thjeshtë që t'i bëje gratë myslimane të fotografoheshin me shami në kokë. Në supermerkate, kafene dhe universitete ajo shpesh herë u drejtohej vajzave të reja. "Shumë gra kishin frikë që t'i lejonin t'i fotografonin, sepse besonin se mund t'i paraqisnin në mënyrë negative," thotë Tasci. Pas kërkimeve të gjata ajo më në fund gjeti gra, megjithatë vetëm turke.

Shamia e kokës si asesuar modern

"Gratë në studion e fotografimit shumicën e herëve qenë të drojtura", thotë Tasci. Pozat për myslimanet fotografja e re i kompozonte vetë. Ajo i ka kushtuar rëndësi të madhe faktit që fytyrat e grave të duken të shpërqendruara. Teknikat e lidhjes së shamisë, ngjyrat dhe materialet ajo i vendosi së bashku me modelet e saj. Në punën e saj ajo konstatoi se shamitë e kokës gratë nuk i mbajnë vetëm për qëllime fetare, por edhe si mbrojtje ndaj ngacmimeve të burrave dhe me të vërtetë edhe për qejf dhe shkaqe mode. /DW/

KOMENTE