English

Opozita dhe ata që vret Berisha

Nga Mero Baze

Kam lexuar dje i tronditur një reportazh botuar në gazetën Shekulli për fëmijët e të ndjerit Ziver Veizi. Ana, e cila u bë e njohur në gjithë botën fal lotëve të saj të fotografuara nga një mjeshtre e fotografisë, kishte fuqinë të të bënte të lotoje dhe me fjalët e saj. Ajo që më tronditi më shumë ishte fakti se kur ajo ishte rikthyer në shkollë pasi kishte përcjellë babanë e saj, disa fëmijë të moshës së saj e kishin fyer duke i thënë se babi e ka merituar vdekjen, por do ta pësonte dhe nëna e saj. Unë e kuptoj se ata janë fëmijë të pafajshëm dhe të papërgjegjshëm për peshën e rëndë të fjalëve që i kanë thënë Anës, por ata i kanë përplasur në fytyrë asaj vajze ndërgjegjen e krimit politik në Shqipëri dhe një luftë të re klasore. Ata janë fëmijë të prindërve që janë në pushtet, që kanë parë kryeministrin e tyre të mallkojë viktimat e t’i quajë terroristë, kanë parë idhullin e tyre në përpjekje për të bërë viktimën dhe jo vrasësin, kanë parë përpjekjet e tij për të mos dorëzuar oficerët vrasës në prokurori, anatemimet e tij për medien, presidentin dhe kryeprokuroren si puçistë dhe lavire e horra bulevardi… dhe natyrisht i kanë dhënë të drejtë vrasjes së babait të Anës.

Nga ai reportazh kuptohet se dëmi që ka bërë Berisha dhe Lulëzim Basha më 21 Janar e kalon peshën e rëndë të katër vdekjeve. Ata kanë vrarë më shumë se katër vetë, pasi kanë vrarë përfundimisht paqen sociale në vend dhe kanë rindarë shoqërinë duke ringjallur luftën e klasave. Unë kam pasur në bankë gjatë kohës së komunizmit një shok të ngushtë që e kam ende sot shok, të cilit i kishin pushkatuar babanë në burgun e Ballshit, por asnjë djalë komunisti, dhe bile as ndonjë mësues komunist nuk e fyente për këtë. Të gjithë, përfshi dhe atë pranonin fatin e tij të keq, por deri këtu. Mënyra se si Berisha po përpiqet të lajë duart nga gjaku i 21 Janarit, duket se po bën më shumë dëm se sa ka bërë vetë krimi i 21 janarit. Mënyra se si ai e përdori atë krim makabër politik, mënyra se si pas atyre vrasjeve Topalli nxitonte të rivalizonte Bashën, duke bërë dhe ajo qitje me armët vrasëse, mënyra se si Berisha anatemoi opozitën për komplot, kanë ngjallur në shoqëri një vetëdije të rrezikshme për justifikimin e krimit politik.

Vrasjet e 21 Janarit janë një krim i pastër politik, shumë më i rëndë se krimi i 2 Prillit në Shkodër, pasi janë vrasje që u dirigjuan direkt nga Kryeministri Berisha dhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, të cilët u shfaqën pas xhamit të blinduar për të dhënë urdhrin makabër. Ato ishin vrasje të liga, të urdhëruara kur rreziku iku, dhe kishin si qëllim inkriminimin e opozitës. Bashkë me vrasjet u shfaqën skenarët diletanteskë të Berishës për vrasje nga brenda turmës, për çadra pistoletë, për thika të helmuara me gjarpërinj nga Mashkullora, etj. Vrasjet e 2 Prillit në Shkodër ishin vrasje të bëra nga një polici, e cila ende nuk dinte të sillej në liri, dhe ishte shumë larg urdhërdhënësve VIP siç ishte policia e 21 Janarit 2011. Por komunistët që ishin në ditët e fundit të pushtetit të tyre në 1991 panë një sjellje më civile pas vrasjeve se sa Sali Berisha, pasi nuk i fyen viktimat dhe pranuan gjykimin e asaj që ndodhi. Kjo nuk e ndau shoqërinë dhe të gjithë pranuan përgjegjësinë e atyre vrasjeve politike, duke ngulitur në opinion idenë se vrasjet politike në demokraci nuk mund të bëhen. Sali Beriha me vrasjet e 21 Janarit riktheu një standard të para vitit 1991, gati- gati një standard të njëjtë me atë të vrasjeve në kufi kur ish stalinistët e fundit mburravecë krenoheshin se po zbatonin ligjin dhe po ruanin kufijtë e republikës duke vrarë. Mënyra se si Sali Berisha dhe Lulëzim Basha po sillen me 21 Janarin dhe viktimat e tyre, po inkriminon shoqërinë, pasi po ngulit në ndërgjegjen e saj të drejtën për të vrarë për pushtet politik.

Në këtë pikë opozita shqiptare duhet të ndërmarrë urgjent një aksion politik, i cili duhet të ketë në qendër të vëmendjes pikërisht fëmijët e viktimave të 21 Janarit. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për opozitën e Edi Ramës, edhe sikur njëqind vjet të rrijë në opozitë se sa të marrë në mbrojtje ata fëmijë që la jetimë Lulëzim Basha dhe Sali Berisha dhe të çmilitarizojë përmes mbështetjes për ato familje klimën e luftës së klasave që po ngjall në Shqipëri Sali Berisha dhe dorësi i tij Lulëzim Basha. Djali i Faik Myrtaj vrau veten se u ndje i braktisur pikërisht nga kjo klimë e luftës klasore, i dyti që është ende gjallë është përbetuar për larje hesapesh me vrasësit. Ana, vajza që na tronditi me lotët e saj, po na trondit më shumë me historinë e patreguar të saj dhe frymën armiqësore që i krijon pushteti vajzës së viktimës së tij. Të njëjtën dramë kanë dhe fëmijët e Hekuran Dodës, dhe një dramë edhe më të madhe familjarët e Aleks Nikës, vajzat e të cilit janë ende të mitura. Opozita duhet tu dalë zot këtyre familjeve në kuptimin e plotë të fjalës, në atë financiar, social dhe politik. Ato duhet të bëhen simbol i standardit politik që krijoi në Shqipëri dyshja Berisha- Basha, dhe përmes çlirimit të tyre duhet të çlirojmë Shqipërinë nga ky mentalitet i luftës së klasave që po ngjall ky njeri që s’ndalet para asgjëje të keqe. Rehabilitimi i tyre dhe të ndjerit qytetarë të lirë dhe të sigurt në këtë vend, është mision i opozitës. Nëse nuk ia arrin dot ta bëjë këtë, atëherë regjimi na ka mundur të gjithëve.

Për t’i mbyllur këto rreshta dua të shtoj dhe një detaj tjetër të rëndë. Geraldo Durda, vëllai i Edisonit katër vjeçar që është vrarë në Gërdec, më kontaktoi një ditë më parë online për të më shprehur indinjatën për fundjavën që shkoi. Ai kish dashur të shkonte në Jalë, por aty kish qenë Delijorgji me miqtë e vet që qenkan të burgosur dhe të lirë njëkohësisht. Kish dashur të kthehej në Dhërmi në mbrëmje, por kish parë Shkëlzenin me një të huaj që pinte dhe bënte pazare tokash dhe ish kthyer pa mundur as të pushonte në një vend ku vrasësit janë të lirë dhe viktimat të burgosura. Kjo nuk mund të zgjat pa fund. Dikush duhet tu dalë zot këtyre njerëzve, përpara se zemërimi i tyre të bjerë mbi të gjithë ne.

*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE