Tiranë, 2 korrik 2011, NOA – Selia blu reagoi sot pas deklaratës së liderit të opozitës Edi Rama, duke e cilësuar atë si një akt shantazhi dhe presioni të papranueshëm ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj deklaroi se akti i sotëm përbën serialin e sulmeve bajate të Edi Ramës, që bazohen fund e krye në një realitet që nuk ekziston.
Sipas PD-së, Edi Rama u mundua rishtas të mbulojë humbjen e tij në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, duke shpallur disfatat e tij si fitore.
“Z. Rama shpalli para asambleistëve të tij dhe mediave fitoren madhështore të 8 majit në mbarë vendin. Ai deklaroi se kjo fitore e ka tërbuar kundërshtarin e tij politik. Z. Rama u përpoq sot në mënyrën më joserioze të mbulojë humbjen e tij personale dhe partiake në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke shpallur disfatat për fitore”, deklaroi nga selia blu, Albana Mustafaraj.
Ajo i ripërsëriti kryesocialistit Rama se “140 mijë vota më pak të qytetarëve shqiptarë për partinë dhe koalicionin e majtë, krahasuar me aleancën qeverisëse që mori 17 % vota më shumë në mbarë vendin, përbëjnë disfatë të thellë reale tuajën dhe të koalicionit që udhëhoqe”, duke shtuar se fitorja për të cilën Rama flet, është imagjinare.
Më tej zëdhënësja e PD-së bëri me dije se 47 mijë votat më pak në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit për PS-në dhe koalicionin e drejtuar nga Edi Rama, dëshmojnë një humbje të thellë elektorale dhe jo fitoren që ekziston vetëm në imagjinatën e Ramës.
Këtu ajo shtoi se edhe 41 mijë votat më pak të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe komuna, të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” janë humbja e radhës e Ramës.
Zëdhënësja e PD-së tha se “Në zgjedhjet vendore të 8 majit, 7 këshillat minibashkiakë që humbët, shënojnë humbjen e radhës tuajën personale, ndërkohë që 7 kryetarë të minibashkive që humbët në Tiranë janë humbja juaj personale”.
“21 mijë vota që humbët në Tiranë krahasuar me vitin 2007, dhe 93 vota më pak se kandidati demokrat Lulzim Basha në vitin 2011, është humbja juaj personale e radhës”, nënvizoi Mustafaraj duke saktësuar se PD e uron zotin Rama, edhe për shumë vite të tjerë, “udhë të mbarë nga fitorja në fitore të tilla elektorale”.
mit/NOA