Tiranë, 2 korrik 2011, NOA- Partia Socialiste mbledh sot për të dytën herë brenda pak kohësh Asamblenë Kombëtare.
Nga mbledhja e ditës së sotme pritet të merret vendim për ecurinë politike të selisë rozë dhe ligjvënësve të saj, lidhur me hyrjen në kuvend dhe rrugën që do të ndiqet më tej për rezultatin e shumë kontestuar të Tiranës.
Në vijimësi nga ana e kësaj partie është kontestuar hap pas hapi rezultati i dalë nga zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Tiranës duke u kërkuar pavlefshmëri e zgjedhjeve, ku sipas rezultateve nga fletët e votimit të numëruara dhe të atyre të rishqyrtuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezulton fitues kandidati demokrat Lulzim Basha.
Që në fillim të punimeve,, ashtu si dhe u lajmërua edhe gjatë ditës së djeshme në takimin me trojkën e ambasadorëve të kryesocialistit Edi Rama, pritet të bëhet një paraqitje e të gjithë fakteve dhe materialeve për manipulimin e rezultateve të dala nga zgjedhjet e 8 majit, nën ilustrimin e pamjeve filmike, fotove dhe fakteve të tjera që pritet të shpalosen.
Ashtu si dhe në asamblenë e mëparshme do të jetë shefi i selisë rozë, ai që do të mbajë fjalën e hapjes ku pritet të bëjë të qartë edhe aksionin politik të partisë më të madhe të opozitës në vend.
Një tjetër pikë që pritet të ngjallë debat gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare është edhe qëndrimit kritike të deputetëve Arben Malaj dhe Erion Braçe, të cilët janë shprehur hapur së fundmi për rrugën e bojkotit të parlamentit nga ana e Partisë Socialiste.
a.y/NOA