English

Redaksia e NOA bashkohet me dhimbjen për ndarjen nga jeta të publicistit Dervishi

Redaksia e Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA, ndan me familjarët, miqtë, të afërmit dhe kolegët e të ndjerit Teki Dervishi, dhimbjen për ndarjen nga jeta të publicistit të mirënjohur.

Redaksia e NOA vlerëson se humbja e Dervishit është një humbje e rëndë për publicistikën shqiptare.

I njohur në vite si mjeshtër i penës në disa zhanre, prej kohësh Teki Dervishi ishte edhe drejtor i gazetës kombëtare “Bota sot”, një media e rëndësishme kosovare me ndikim në opinionin publik të Kosovës dhe shqiptarëve nëpër botë.

Shkrimtar, publicist, ish i dënuar politik nga regjimi komunist serb, Teki Dervishi i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe.

Teki Dërvishi ishte ndër të burgosurit më të rinj shqiptarë që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.

Jetën e tij ai ia kushtoi artit të të shkruarit duke mos iu ndarë romanit, dramës, poezisë, publicistikës, kolumneve, analizave dhe opinioneve.

NOA edhe një herë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për publicistin e njohur i cili me opinionet e dërguara në redaksinë tonë, ka qenë disa herë i pranishëm në rubrikën e Opinioneve.

KOMENTE