Hagë, 3 korrik 2011, NOA – Ish-gjenerali serbo-boshnjak Ratko Mlladiç do të bojkotojë seancën gjyqësore të radhës kundër tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për krimet në ish-Jugosllavi, e thirrur të hënën në 4 korrik në Hagë.
Lajmin e bëri publik për mediat avokati mbrojtës i Mlladiç, Milos Saljiç.
“Mlladiç nuk ka ndërmend të shfaqet nesër në sallën e gjyqit, vetëm nëse do të detyrohet me forcë”, tha avokati i Mlladiç, duke e argumentuar këtë vendim të ish-gjeneralit serbo-boshnjak, me faktin se, gjykata e Hagës ende nuk ka miratuar kërkesën e Mlladiç, që të përfaqësohet në gjyq nga avokatët e tij mbrojtës.
Ish-gjenerali serbo-boshnjak akuzohet për genocid dhe krime kundër njerëzimit në vitet 1992-1995, ndër të cilat për masakrën e Srebrenicës në Bosnje, ku u vranë 8000 burra muslimanë.
Ratko Mlladiç u arrestua nga shërbimet sekrete të Serbisë mëngjesin e 26 majit në provincën Lazarevo, nën emrin e rremë Milorad Komadiç dhe disa ditë më pas u ekstradua drejt burgut të Hagës.
Kapja e tij u publikua nga vetë Presidenti serb Boris Tadiç, i cili e cilësoi këtë si arritje të bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale të Hagës për dënimin e krimeve të luftës në ish-federatën jugosllave.
Arrestimi i Mlladiç dhe dorëzimi i kriminelëve të tjerë të luftës është një nga kërkesat kyç të BE-së për integrimin e Serbisë në Unionin Europian.
mit/NOA