Kopenhagen, 3 korrik 2011 - Danimarka po përgatitet të rivendosë pika të përhershme të kontrollit doganor, pavarësisht ankesave të zyrtarëve europianë se kjo shkel rregullat për udhëtimet pa viza në Evropë.
Kështu duke nisur nga data 5 korrik 2011, për herë të parë pas kaq shumë vitesh, Danimarka do të bëhet e arritshme nga shtetasit danezë dhe të huaj në lëvizjet e tyre ndërshtetërore, vetëm duke kaluar më parë kontrollin doganor.
Parlamenti danez miratoi të premten forcimin e kontrolleve kufitare. Zyrtarët thanë se të martën, në kufijtë e Danimarkës me Suedinë dhe Gjermaninë, do të vendosen 50 punonjës doganorë shtesë.
Ligjvënësit daneze thanë se po i rivendosin pikat e kontrollit për të luftuar krimin dhe emigracionin e paligjshëm.
Masat do të vihen në zbatim gjatë disa viteve dhe do të përfshijnë objekte të reja doganore, uljen e kufijve të shpejtësisë në pikat e kontrollit dhe mbikëqyrjen me video të makinave që hyjnë në Danimarkë.
Qeveria tha se kontrollet doganore do të jenë të rastësishme dhe nuk do të përfshijnë kontrollin e pasaportave.
Kufizimet e reja u propozuan nga Partia Popullore nacionaliste daneze. Por organizatat e biznesit, thonë se pikat e kontrollit mund të dëmtojnë eksportet e vendit.
Gjithashtu, disa danezët shprehën shqetësim për radhët e gjata që mund të krijohen nga makinat që presin të kalojnë kufirin.
Gjermania dhe Bashkimi Evropian kanë protestuar ndaj masave daneze. Sipas tyre, kjo shkel marrëveshjen për zonën Shengen e cila eliminon kontrollet e kufijve mes 25 vendeve evropiane.