English

Helmi i bretkosës, si kurues për kancerin

Uashington, 3 Korrik 2011– Imagjinoni sikur helmi i një bretkose të mund ta kthente kancerin nga një sëmundje vdekjeprurëse në një sëmundje kronike të shërueshme. Apo një virus që do të ndryshonte trajtimin për njerëzit që vuajnë nga fibroza cistike. Këto janë vetëm disa nga shpikjet që u nderuan me çmim në konferencën e Londrës për të Ardhmen e Mjekësisë.

Profesor Kristofer Shou dhe kolegët e tij shpresojnë se janë në prag të gjetjes së një trajtimi të ri që mund të ndryshojë mënyrën se si e shohim kancerin sot. Ata po përpiqen të mbledhin një proteinë që del përmes sekrecioneve nga disa bretkosa të marra nga Kina. Ekipi ka udhëtuar në gjithë botën duke testuar 200 lloje bretkosash nga 3,500 që ekzistojnë gjithsej.

“Ne e hasëm këtë molekulë rastësisht nga kjo bretkosë e quajtur Waxy Monkey. Dhe nga testet që bëmë doli se ajo e ndalon tërësisht rritjen e enëve të gjakut”.

Ekipi i profesor Shou arriti të merrte helm nga bretkosat duke përçuar një rrymë të lehtë elektrike në lëkurën e tyre.

“Pas testeve të tjera zbuluam se kjo molekulë ishte më e fuqishmja për ndalimin e zgjerimit të enëve të gjakut, dhe sigurisht që këto të fundit janë qenësore në procesin e sëmundjes së kancerit, qoftë për përhapjen e tij apo ndarjen e qelizave kanceroze në trup”.

Ekipi shpreson t’i fillojë testimet në kafshë brenda dy vjetëve. Profesor Shou thotë për VOA se mes tjerash, ata po zhvillojnë kërkime edhe për molekula që shkatërrojnë bakteret rezistente ndaj ilaçeve, apo virusin HIV, parazitët e malaries etj.

Një shpikje tjetër është drita fosforeshente e përdorur për fotografimin e dhëmbëve. Ajo tregon shumë më tepër seç mund të shihet me sy të lirë. Pacientët mund të shohin qartë se ku ka më tepër mundësi që të kenë probleme me mishin e dhëmbëve dhe cilat pjesë duhet t’i pastrojnë më me kujdes.

“Gjërat mund të shihen që kur kanë filluar të prishen, çka nuk mund të dallohet me sy të lirë. Dhe me një higjienë më të mirë të gojës, këta dhëmbë mund të riparohen pa pasur nevojë të gërryhen dhe të mbushen”.

Ndërkohë, përparim vazhdon të bëhet në fushën e gjenetikës. Megjithëse është e vështirë të imagjinohet, kjo gjë është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se trajtimet për fibrozën cistike janë të mundura.

Një ekip i Kolegjit Imperial të Londrës ka zbuluar një mënyrë për ta zëvendësuar gjenin e gabuar të fibrozës cistike me gjenin e duhur. Vështirësia ngelet tek mënyra se si do të futet ky gjen në mushkëritë e pacientit.

“Gjeni nuk mund të futet thjesht në mushkëri dhe të shpresosh se qelizat e marrin atë. Na duhet një mënyrë e caktuar për t’i përcjellë këto gjene në qeliza dhe për këtë kemi krijuar një virus që do të jetë efikas në përcjelljen e gjenit në mushkëri”.

Pacientët e sëmurë me fibrozë cistike kanë një regjim trajtimi shumë të rëndë. Ata marrin ilaçe çdo ditë. Përveç kësaj, ata u nënshtrohen fizioterapisë për ndalimin e mukusit që mund t’u bllokojë mushkëritë.

Zonja Grizenbah thotë se një dozë e virusit të ri do të zgjaste për dy vjet dhe kjo do të ishte shumë e rëndësishme nga pikëpamja terapike, meqenëse do të rrallonte marrjen e ilaçeve nga pacientët me fibrozë cistike.

KOMENTE