English

Ilir Meta heq dorë nga kërkesa paraprake, kërkon gjykim të pandërprerë

Tiranë, 3 korrik 2011 NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i thotë jo pushimit për procedurë të gjykimit dhe kërkon gjykim të plotë, debatues dhe të pandërprerë.

Nëpërmjet një kërkese dërguar sot Gjykatës së Lartë, z.Meta dhe avokatët e tij, deklarojnë se kanë hequr dorë nga njëra prej kërkesave paraprake të lexuara dhe të dorëzuara me shkrim në seancën e parë gjyqësore të datës 20.06.2011.

Kështu z.Meta ka hequr dorë nga deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet.

“Me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht”, - shpjegon mbrojtja ligjore e z.Meta.

Më poshtë vijon kërkesa e plotë:

MEMO/KËRKESË

Drejtuar: Gjykatës së Lartë, Tiranë.

Kërkuesi: Ilir Meta, përfaqësuar me prokurë të posaçme nga Av. Petrit Serjani, me nr. Lic. 99, Anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe Av. Gëzim Veleshnja, me nr. Lic. 417,Anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Baza Ligjore: Neni 110 I K. Pr. Penale.

Të nderuar Zotërinj Gjyqtarë të Lartë !

Në cilësinë e mbrojtësit me prokurë të shtetasit Ilir Meta,në procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij pranë Gjykatës së Lartë, mbështetur ligjërisht në sa disiplinohet nga neni 110 i K.Pr.Penale “Mbi memot apo kërkesat e palëve në çdo gjendje dhe shkalle të procedimit” parashtrojmë në vijim, këtë MEMO tonën, që konsiston në HEQJEN DORË nga njëra prej kërkesave paraprake të lexuara dhe të dorëzuara me shkrim në seancën e parë gjyqësore të datës 20.06.2011.

Në tërësinë e kërkesave paraprake kemi ngritur disa probleme që në interpretimin tonë të ligjës procedurale do duhej të produktonin pavlefshmëri të veprimeve hetimore të organit procedues.

Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga:

Deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet. (Nga faqja një deri në fund të faqes pesë të materialit të dorëzuar me shkrim).

Me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht.

Gjithsesi, vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërisë hetimore të organit të prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij.

Për sa i takon kërkesave të tjera paraprake që lidhen me:

Aktet e ekspertimit,

Dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin,

Provat materiale të marra në të njëjtën formë,

ripohojmë se u qëndrojmë dhe mbi pranimin e tyre, presim me besim vendimin Tuaj të datës 11.06.2011.

Duke shpresuar në marrjen në konsideratë të kësaj memoje, gjejmë rastin të shprehim respektin tonë më të lartë,

Avokatët: Kërkuesi:

Petrit Serjani Ilir Meta

Gëzim Veleshnja

LEXONI KERKESEN E PLOTE TE Z.META ME 20 QERSHOR 2011

KOMENTE