Tiranë, 3 korrik 2011, NOA/Irma Toptani – Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta kërkon nga Gjykata e Lartë, gjykim të plotë të çështjes së ngritur kundër tij, duke shpallur heqjen dorë nga kërkesa paraprake për ta shpallur të pavlefshëm hetimin e nisur ndaj tij.
Avokatët mbrojtës të ish-numrit dy të qeverisë Berisha, njëherësh ish-ministrit të Ekonomisë, Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me një MEMO ku bëjnë të ditur heqjen dorë nga kërkesa për pavlefshmëri të hetimit.
“Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe çertifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake, e konkretisht, nga deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet”, - shkruhet në kërkesën e avokatëve të zotit Meta drejtuar Gjykatës së Lartë.
Sipas tyre, kjo kërkesë lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht.
Avokatët e shefit të LSI-së, Ilir Meta, deklarojnë se për sa i takon kërkesave të tjera paraprake, që lidhen me aktet e ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin, provat materiale të marra në të njëjtën formë, ata nuk ndryshojnë qëndrim.
mit/NOA