Prishtinë, 3 korrik 2011, NOA – Lëvizja për Bashkim në Kosovë ka akuzuar delegacionin e Kosovës në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd se me tri marrëveshjet e nënshkruara mbrëmë me Serbinë po mohon shtetin e Kosovës dhe interesat kombëtare.
Duke iu referuar tri marrëveshjeve, përkatësisht, për regjistrat civilë, diplomat dhe lëvizjen e lirë, kryetari i LB-së Avni Klinaku komentoi se bisedimet e kontestuara teknike po i japin frytet e para politike.
Lëvizja për Bashkim i referohet marrëveshjes për regjistrat civilë, e cila është e pavlefshme pasi origjinalet e tyre vazhdojnë të mbeten në Beograd e kopjet në Kosovë.
“Ç’farë marrëveshje është ajo për diplomat universitare dhe shkollore, në bazë të së cilës një palë e tretë ndërkombëtare vendos për to? Pse duhet të diskutohet për diploma të nxënësve e të studentëve të Kosovës me Serbinë, e në të njëjtën kohë, Serbia të mos i njohë diplomat e shqiptarëve të Kosovës Lindore”, bëri me dije Klinaku.
Ai tha se edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë është mohim i interesave kombëtare pasi në bazë të saj, Serbia nuk do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës.
Klinaku deklaroi se bisedimet teknike nuk po zhvillohen për të mirën e qytetarëve të Kosovës, por vetëm për të mirën e Serbisë e të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë. Lëvizja për Bashkim theksoi se askush nuk ka të drejtë të bëjë marrëveshje në kurriz të së djeshmes, të sotmes dhe të ardhmes së qytetarëve pa miratimin e tyre, duke apeluar se me Serbinë nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë bisedime teknike.
“Lëvizja për Bashkim nuk do ta njohë dhe nuk do ta pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë, që del nga të ashtuquajturat bisedime teknike”, përfundoi deklaratën e tij Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.
mit/NOA