Bruksel, 3 korrik, NOA - Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjet e para për ccështje praktike të interesit të ndërsjellë në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në përfundim të raundit të bisedimeve të së shtunës, Bashkimi Evropian bëri të ditur se të dyja palët kanë arritur marrëveshje në fushën e regjistrave civil, lirisë së lëvizjes dhe njohjes së ndërsjellë të diplomave shkollore e universitare. Këto janë marrëveshjet e para që kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008.
Hollësitë e marrëveshjeve pritet të publikohen të hënën nga diplomati britanik, Robert Cooper, i cili po luan rolin e ndërmjetësuesit të bisedimeve, por sipas njoftimeve të para, marrëveshjet do t’u mundësojnë qytetarëve të Kosovës që të hyjnë në Serbi me letër njoftime por jo edhe më pasaportat e Kosovës.
Zyrtarët evropian thonë se nuk do të ketë nevojë që marrëveshjet e arritura të nënshkruhen nga palët, sepse ato do të merren si detyrim politik për t’u zbatuar prej tyre. Ndërkaq, një njoftim të qeverisë së Kosovës, thuhet se marrëveshjet janë bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Qeveria e Kosovës i cilëson këto marrëveshje si një arritje shumë të rëndësishme për të dyja vendet, pasi ato ngërthejnë vlerat e larta qytetëruese e demokratike, janë në frymën e standardeve euro-atlantike, ndihmojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian.
Arritjet ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimet rajonale, që janë kritere për integrim në Bashkimin Evropian, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës.
Shefi i delegacionit të Serbisë në këto bisedime Borislav Stefanoviç, ka theksuar se marrëveshjet nuk përfshijnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën Beogradi vazhdon ta kundërshtojë, ndërsa Prishtina refuzon çfarëdo debati për statusin politik të Kosovës.
Një raund i ri bisedimesh pritet të mbahet nga mesi i muajit korrik dhe autoritetet në Bruksel besojnë se të dyja palët do të arrijnë marrëveshje edhe për çështje të tjera.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filluan më tetë mars të këtij viti. Prishtina zyrtare shpreson në shtendosjen e marrëdhënieve me Beogradin, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që deri tash e kanë njohur 76 vende të botës.
NOA/VOA