English

Marrëveshjet Serbi-Kosovë, palët të paqarta për efektet

Bruksel, 3 korrik, NOA – Pas përfundimit të takimit mes dy delegacioneve në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi kanë dhënë interpretime politike të ndryshme në lidhje me përmbajtjen e tre marrëveshjeve. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, në intervistë RTK-së, e quajti këtë si një hap të parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa shefi i delegacionit serb, Stefanoviç, tha se “është mbrojtur sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën dhe Metohinë”. Ndërkohë, ndërmjetësi i BE-së, Cooper, ka theksuar se “këto marrëveshje s’kanë të bëjnë fare me statusin dhe qëndrimet e palëve rreth statusit”.

Sipas komunikatës për shtyp, të lëshuar nga Këshilli i BE-së, në këtë takim janë arritur tri marrëveshje: regjistri civil, liria e lëvizjes dhe pranimi i diplomave universitare dhe shkollore.

Përderisa palët nuk kanë dhënë shumë hollësi, por më shumë janë përqendruar në vlerësime politike të asaj që është arritur dhe kjo në mënyrë diametralisht të kundërt, as BE-ja nuk ka ndihmuar shumë që të sqarohet se cilat janë modalitetet e këtyre tri marrëveshjeve.

Deklaratën e kryesueses së delegacionit të Kosovës se me këto marrëveshje Serbia ka bërë hapat e parë drejt njohjes së Kosovës e ka hedhur poshtë edhe vetë Robert Cooper, i cili është edhe kryesues i dialogut.

“Dëshiroj t’u uroj të dyja palëve, sepse kanë punuar me shumë mund. Këto janë marrëveshje të mira për të dyja palët, por këto nuk janë marrëveshje që prekin në ndonjë mënyrë çështjen e statusit dhe nuk paragjykojnë në asnjë mënyrë qëndrimet e palëve ndaj statusit të Kosovës. Serbia nuk po e njeh Kosovën, Kosova nuk po heq dorë nga statusi i saj. Ajo që po ndodh është ajo që thuhet në Rezolutën e OKB-së, ndihmon palët që t'i afrohen më shumë Bashkimit Evropian dhe ndihmon në përmirësimin e jetës së njerëzve”, ka thënë Cooper në deklaratat që janë transmetuar nga “Neës room” i Këshillit të BE-së.

NOA

KOMENTE