Nga Mero Baze
Ekziston një hendek që duhet pranuar mes opozitës socialiste dhe faktorëve opozitarë në Shqipëri. Edhe për faktin se shumica e faktorëve të tjerë opozitarë nuk janë të majtë, por mbi të gjitha për faktin se kredoja morale e opozitës së majtë është ende e dobët, ky hendek po qëndron ende pa u mbushur. Ky hendek nuk ka lidhje fare me zhurmat që vijnë nga brenda PS gjoja për një opozitë aktive. Disa kritikë të liderit socialist brenda PS po ashtu po përpiqen të krijojnë idenë e një debati që ngjan më shumë si një zhurmë në koshere bletësh se sa si një debat parimor. Por ajo që i bashkon gjithë zërat që gumëzhijnë brenda opozitës është niveli i debatit, i cili është poshtë pikës së vlimit të një debati parimor në opozitë.
Prej vitit 2009, në opozitën e Edi Ramës kam dëgjuar vazhdimisht zëra që kërkojnë opozitë institucionale, dhe me këtë nënkuptojnë marrjen pjesë rregullisht në parlament, marrjen e dietave kur lëvizin jashtë Tiranës, blerjen e makinave me procedura korruptive nga zonja Topalli, dhe ndonjë shfaqje banale në ekranet e kontrolluara të Tiranës. Kur opozita ishte në rrugë pas zgjedhjeve, kritikët më të ashpër të Ramës ishin të paduruar për tu kthyer në parlament, sa që të krijohej ideja se atyre po u zihej “hisja e diellit” dhe nuk po lejoheshin të bënin opozitë. Kur u kthyen në parlament, askush prej tyre për dy vite nuk foli thuajse asnjë herë. Kur u kthyen në parlament, ata në të vërtetë e bojkotuan parlamentin duke mos marrë pjesë në asnjë debat të rëndësishëm brenda tij. Ata nga deputetë u kthyen në numra dhe shifra. Kjo tregonte se ata nuk e kërkonin betejën institucionale për të plotësuar profilin e opozitës, por si një nevojë për të plotësuar performancën fallco demokratike të qeverisë, e cila korrigjoi fotografinë e keqe të saj me opozitën në rrugë.
Pas zgjedhjeve të 8 Majit kjo skenë më duket se po ripërsëritet. Pashë në një universitet privat Arben Malajn me një grup shoqërimi ish socialistësh, që më 8 Maj në mesditë i kam parë në një tavolinë me Sali Berishën në hotel Rogner në Tiranë. Unë e respektoj ambicien e Arben Malajt për të qenë “dikushi” në sallonet e opozitës, por është cinizëm i tepruar të bësh opozitë me shoqëruesit e Sali Berishës. Është mirë të jesh kritik me Edi Ramën, është mirë t’i bësh presion Edi Ramës për një opozitë aktive dhe institucionale, por bilancet kanë shumë rëndësi. Është e pakuptimtë që pëshpërimat brenda opozitës nuk ngrihen në nivelin e një zëri të fort parimor, që të avancojnë kredon morale të opozitës, por përsërisin skemat bajate të Berishës për të importuar krizën brenda opozitës. Opozita sot qeveris mbi 60 për qind të vendit pas zgjedhjeve të 8 Majit, dhe s’kam dëgjuar askënd të flasë për arsyen përse fituan kandidatët e opozitës. A fituan për shkak të Berishës, apo për shkak të aftësive të tyre? A humbën ata që humbën për shkak të fuqisë së pushtetit, apo për shkak të dobësive të tyre? Fitoret spektakolare si ajo e Kavajës, Durrësit, Fushë-Krujës, Mamurrasit, Laçit, Rrëshenit dhe Burrelit, që përbëjnë dhe risinë elektorale të kësaj partie në Shqipëri të Mesme drejt Veriut, s’po i përfill askush prej opozitës a thua se janë mërzitur që shqiptarët i kanë votuar. As ndonjë humbje për shkaqe tërësisht të kandidaturës si ajo në Delvinë apo në disa komuna në Jug nuk po i debaton askush.
Një tjetër ngërç i debatit opozitar drejt standardeve morale është qëndrimi ndaj koalicionit opozitar. Edhe pse 28 Qershori i 2009 provoi se koalicioni i zgjeruar, qoftë dhe me parti të papërfillshme, të sjell fitoren, në këto zgjedhje opozita sërish eliminoi koalicionin. Zërat më të fortë të opozitës, me aq vota sa kanë, u lanë mënjanë dhe u shmangën nga fushata. Për mungesë negociatash u la LZHK të shkojë në thesin e Lulëzim Bashës, dhe figura aktive të opozitës si Zogaj, Ngjela, Ndoka, por dhe grupime të tjera të qendrës dhe së djathtës u lanë mënjanë. Kam vënë re që në opozitën e socialistëve ka një qëndrim denigrues ndaj partive të vogla, më shumë se sa ndaj Berishës. Të kompleksuar nga Hysni Milloshi, ja lanë atë Sali Berishës, të xhindosur me vetveten, e lanë G99 thuajse të shuhej, të pasigurt për profilin e tyre në politikë, gjithë ditën flasin se si t’ia bëjnë me Erjon Veliajn apo rrethin e tij që ka hyrë në PS, të frustruar nga ideja se opozita është luftë, mbledhin buzët për opozitën e Ngjelës apo shmangin debatin për jetën aktive opozitare të Zogajt. Opozita duhet ta kuptojë përfundimisht se në opozitë më të sigurt janë elementët opozitarë se sa nëpunësit e partive opozitare. Në opozitë më të sigurt dhe më të dobishëm janë ata që e kanë marrë vetë vendimin të jenë dhe personalisht kundër Sali Berishës, se sa ata që janë futur nga dera e pasme e PS për të marrë një rrogë si opozitarë. Unë e kam zgjedhur vetë fatin tim përballë Berishës dhe do jem këtu dhe sikur të mos ketë Parti Socialiste. Zogaj, Ngjela, Ndoka, Shehi dhe dhjetëra copëza dhe individë të tjerë opozitarë, përfshi gazetarë, politikanë, por dhe shoqëri civile, janë në opozitë për arsyet e tyre dhe jo për arsyet e socialistëve. Është një miopi e madhe e opozitës më të madhe në vend, që konsumon energji për të ruajtur veten nga opozitarët e vegjël. Kjo tregon në të vërtetë sa të vegjël janë ata si opozitarë. Me këtë frymë grindjesh dhe mistrecllëqesh, ata shkojnë në forumet e tyre të mërzitshme, flasin thuajse për asgjë, vendosin thuajse për asgjë dhe në fund bëjnë thuajse asgjë.
Është e natyrshme që elementët opozitarë në Shqipëri, ata që janë individë, parti të vogla, OJQ, media apo gjithçka tjetër, të jenë të shqetësuar për fatin e partisë më të madhe opozitare, por ata kanë një standard moral më të lartë dhe më të sigurt në raport me opozitarizmin. Është banale që opozita të fitojë bashkitë dhe të humbasë këshillat për pazare, është banale që opozita të lërë jashtë fushate individë opozitarë apo parti të vogla opozitare për frikëra nëpunësish brenda saj, po aq sa është banale që debat në partinë më të madhe opozitare të quhet sherri mes Erjon Braçes dhe Fatmir Toçit, apo Arben Malajt e Shpëtim Gjikës.
Opozita i ka fituar këto zgjedhje pasi pas 8 Majit po qeveris më shumë shqiptarë se Sali Berisha dhe ky është kriteri me të cilën matet një fitore apo humbje në zgjedhje. Por ajo ka tani përballë betejën e madhe për t’i marrë pushtetin Sali Berishës. Ajo ka përballë një njeri që nuk flet më për PD, pasi e ka 14 për qind pas PS, por një njeri që flet për koalicion dhe që bën aleancë dhe me djallin për të fituar. Në opozitën e pastërvitur të Edi Ramës, ka më shumë njerëz që shqetësohen dhe vënë në shënjestër ata që bëjnë opozitë se u hapin punë, se sa ata që flasin për komoditetin e bashkëjetesës me Berishën. Ky mentalitet duhet të marrë fund. Bashkimi i elementëve opozitarë dhe funksionalizmi i tyre nuk bëhet me premtime për vende në parlament, apo oferta nëpunësish, por me një betejë parimore që i bashkon në luftën kundër Berishës.
Media opozitare tani është në minorancë për shkak se opozita është e pamoralshme me të, duke mos e mbrojtur në thelb nga sulmi i Berishës. Pronarët e medieve që po i blen përditë Sali Berisha, kanë vetëm një shqetësim, si ta kenë mirë me Sali Berishën se “opozitën” e kanë në xhep. Sali Berisha ka shkatërruar medie, ka gjobitur TV e gazeta, ka shkatërruar emisione televizive, ka bojkotuar ekrane të tëra derisa i ka nënshtruar, ndërsa opozita nuk ka mundur dot të defaktorizojë mediet mercenare të tij. Ky është një çmim i rëndë për lirin e medies, pasi sot unë njoh plot gazetarë të aftë dhe të zot, që janë pa papunë dhe pa shpresë, dhe plot njerëz kokëbosh që marrin rroga disa herë më shumë se sa i ka rrogat gjithë redaksia e një gazete opozitare.
Bizneset e diskriminuara nga qeveria janë në rrugë dhe pa shpresë. Unë e kuptoj se opozita nuk mund tu japë atyre para dhe kredi, por ama mund të bëhet një barrikadë për rrethin e biznesmenëve të korruptuar që sillen përditë rreth Sali Berishës dhe kanë shkatërruar biznesin e ndershëm në Shqipëri. Është e pamoralshme që 5-6 biznesmenë që s’dua tu zë as emrin në gojë, sillen pas Sali Berishës, dhe në darkë bëjnë dhe një telefon nga selia e Edi Ramës të jenë të sigurt për nesër, ndërkohë që kanë nxjerrë në rrugë dhe kanë falimentuar qindra mijëra biznese që jetonin me ndershmëri. Këta biznesmenë nuk janë as të majtë, as të djathtë, janë thjesht batakçinj. Kanë qenë me Nanon, me Metën, tani janë me Berishën. Por tani janë duke bërë dëm si monopolistë dhe janë të sigurt se nesër kur Rama të vijë në pushtet asgjë nuk do t’i gjejë. Opozita duhet tua bëjë të pasigurt qysh sot të ardhmen këtyre batakçinjve, ndryshe askush nuk frymëzohet për një betejë opozitare pa ndëshkuar askënd.
Bashkimi i faktorëve opozitarë vjen nga një frymëzim moral, nga një shpresë se gjërat do të ndryshojnë dhe se nuk do të ndërrohet përsëri Ridvani me Arbenin, Polloja me Blushin, Bylykbashi me Gjiknurin dhe do jenë po në vend biznesmenët e oborrit, Zamiri, Gimja, Bashkimi, Luçi, Kuçi apo Muçi…
Bashkimi i faktorëve opozitarë bëhet mbi të gjitha kur partia më e madhe e opozitës të kuptojë se askush nuk po i kërkon asaj pushtetin, por Sali Berishës. Dhe që të kuptojë këtë duhet të çlirohet dita- ditës nga nëpunësit dhe ata që mendojnë si rrogëtarë, për t’i lënë vend mendimit politik dhe kredove morale në opozitë.
*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA