English

PD: Rama vijon kërcënimet, ai nuk e njeh rezultatin po nuk u shpall fitues

Tiranë, 3 korrik 2011, NOA- Partia Demokratike reagoi sërish sot lidhur me gjuhën e përdorur nga kryesocialisti Edi Rama për rezultatin e Tiranës.

Ka qenë kryesuesja e listës së këshillit bashkiak demokrat të Tiranës, Jorida Tabaku ajo që theksoi se skenari i Ramës për të diskredituar zgjedhjet në vend nuk ndalet.

Më tej ajo shtoi se Rama është i vendosur për të ndjekur këtë rrugë dhe gjuhën e kërcënimeve vetëm sepse ka humbur garën në të gjithë Shqipërinë.

“Perdja ka rënë tashmë sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre, 1 milion e 600 mijë shqiptarë e shprehën vullnetin e tyre përmes votës. Ndërsa edhe ndërkombëtarët e dhanë mesazhin e tyre për tu respektuar vendimi i drejtësisë si dhe kanë theksuar se duhet të pritet rezultati”, u shpreh Tabaku.

Ndër të tjera ajo shtoi se kreu i selisë rozë nga njëra anë thotë se do të bojkotojë bojkotin 2 vjeçar dhe nga ana tjetër vijon me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimeve kundër Kolegjit Zgjedhor.

Tabaku u shpreh se, Rama sulmoi haptazi Kolegjin e parë zgjedhor dhe pranoi vetëm përgjysmë vendimin e tij, duke vijuar kërcënimin se nuk do të njohë asnjë rezultat të Kolegjit Zgjedhor që nuk e shpall atë fitues.

Pavarësisht se Rama ka shkuar shumë larg, siç tha Tabaku, ai duhet të pranojë zgjedhjen që kanë bërë qytetarët dhe vendimet e dhëna nga drejtësia, duke theksuar sërish vendosmërinë e Partisë Demokratike për të pranuar vullnetin e qytetarëve dhe vendimin e dhënë nga drejtësia.

a.y/NOA

KOMENTE