English

Përballë një alternative të vetme

Të gjitha vendet që morën vendimin për të ndërhyrë në Libi, përfshirë Amerikën, duhet të veprojnë me një energji të rinovuar dhe me perspektivën se NATO, pavarësisht të metave dhe gabimeve, duhet të triumfojë

Nga Christopher Hill

Parashikimi i kohëve të fundit i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates, për një të ardhme “të zbehtë” dhe “të mjerë” të NATO’s ka zgjuar shumë debate, por mund të rezultojë një prognozë optimiste. Qershori, siç qëllon, shënon një tjetër shenjë në shtegun e pasigurt të Aleancës: operacioni i saj në Libi ia ka kaluar në kohëzgjatje atij në Kosovë 12 vite më parë. Pas 78 ditësh, në vitin 1999, Slobodan Milosevic u dorëzua, ndërsa koloneli libian Muammar Gaddafi ende s’e ka marrë mesazhin-dhe ndoshta mund të jetë duke marrë mesazhin e gabuar.

Për ne që ishim të përfshirë në krizën e Kosovës, ndërhyrja në Libi duket si një déjà vu. Në qiejt e Serbisë dhe Kosovës aeroplanët e NATO’s sulmuan target pas targeti, jo për të mbështetur çlirimin e një territori, por për të ndryshuar mendjen e Milosevicit. Për të qenë të sigurt, privimi i Milosevicit nga mjetet për të kryer spastrim etnik u shtua si arsyetim pas fillimit të fushatës, por qëllimi kryesor ishte të bindurit e tij se duhej të lejonte trupat e NATO’s në Kosovë. Ishte një moskombinim klasik strategji/politikë.

Asnjë luftë nuk mbetet pa listën e saj të supozimeve të rrejshme dhe fushata e Kosovës kishte pjesën e vet të kësaj. Ndoshta më e rëndësishmja ishte pikëpamja e paharrueshme, por e gabueshme se Milosevici do të dorëzohej pas disa ditë bombardimesh. Në vend të kësaj, si shumë udhëheqës të tjerë në rrethana të tilla, ai u fut në bunker, fizikisht dhe figurativisht dhe qëndroi aty me komunikim të rralluar. Ndërkohë, avionët e NATO’s dëshpërimisht kërkuan të identifikonin targete që ose do t’ia mohonin atij mjetet për të realizuar spastrimin etnik, ose më së shumti do ta inkurajonin që të rishihte pozicionin e tij.

Ndërhyrja kishte mangësitë e veta, ndoshta asnjë më shumë e tillë se bombardimi i Ambasadës Kineze, e cila u identifikua gabimisht si një ndërtesë ku strehoheshin rezerva serbe të sigurisë, instrumente të represionit kundër Kosovës. Pati gjithashtu momente shqetësimesh të mëdha lidhur me atë nëse aleatët do të ishin të gatshëm të mos tërhiqeshin nga sulmet me kalimin e ditëve, javëve dhe muajve, edhe sikur fundi të mos dukej askund. Sigurisht ata që janë të përfshirë në ndërhyrjen në Libi po ndiejnë disa prej të njëjtave trysni.

mars të ’99-ës pak udhëheqës të NATO’s kishin dyshim se largimi me forcë i Milosevicit nga Kosova ishte gjë e drejtë. Siç nuk kishte shumë dyshim as se krerët europianë e amerikanë kishin bërë përpjekje të sinqerta për të bindur Milosevicin përmes negociatave dhe mjeteve paqësore. Lufta ishte alternativa e fundit.

Në fakt në mars 1999 vendimi për të hyrë në luftë u kuptua se ishte i drejtë pasi të gjitha mundësitë e tjera ishin provuar. Teoricieni ushtarak prusian i shekullit të 19’të, Carl von Clausewitz, citohet shpesh për maksimën se “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Por një mendim edhe më relevant i tij u bë i qartë gjatë atyre ditëve të vendimit: lufta është një mjet serioz për qëllime serioze. Asnjë nga të përfshirët në fushatën e Kosovës nuk mendonte ndryshe, apo nuk i shkonte në mendje se NATO mund të dorëzohej. Për këta arsye NATO filloi të përgatiste opsionin e ndërhyrjes tokësore. Trupat tokësore në fund nuk ishin të nevojshme, por dështimi nuk ishte një prej opsioneve.

Siç nuk mund të jetë një opsion as tani. Në Libi kemi gjithashtu një mospërputhshmëri strategji/politikë. Politika është rrëzimi i Gaddafit nga pushteti. Strategjia-domethënë mandati për mjetet-është mbrojtja e popullatës civile. Kjo e fundit nuk mund të sigurojë suksesin e së parës.

Hendeku ka filluar të mbyllet teksa NATO futi në punë mjete të tilla si helikopterët sulmues me synim të drejtpërdrejtë targetin kryesor, rrëzimin e Gaddafit nga pushteti. Por më shumë nevojitet për të siguruar suksesin. Ankimet rreth paqëndrueshmërisë së rebelëve nuk e bëjnë punën. Opozita libiane është ajo që është.

Gates me të drejtë është përqendruar te çështja e kapaciteteve ushtarake të NATO’s. Teksa udhëheqësit ushtarakë europianë të përfshirë në fushatë diskutojnë publikisht për kufizimet e buxheteve të tyre, është e lehtë të kuptosh se pse e ngriti këtë shqetësim. (Shënim për krerët ushtarakë europianë: ju lutem mos e sinjalizoni Gaddafin se po u mbarohen bombat).

Por një tjetër argument i Gates është edhe më seriozi: mungesa e vullnetit politik. Disa vende me kapacitete të nevojshme nuk i kanë përdorur ato në fushatë dhe të tjerë as nuk kanë dhënë mbështetje politike. Kjo qasje a la carte është sesi ka funksionuar gjithmonë NATO’ja. E re është mundësia që NATO të dështojë kësaj radhe. Luftëtarët hezitantë të NATO’s duhet të marrin parasysh rrezikun e të qëndruarit në margjinat e luftës.

Këto janë ditë të vështira për NATO’n, siç Gates në muzg të mandatit të tij të shkëlqyer ka vënë në dukje. U mor një vendim për t’u përfshirë ushtarakisht në një situatë e cila është debatuar si e një interesi të vogël, por tani të gjithë aleatët duhet të kuptojnë se ata po përdorin mjete serioze për qëllime serioze. Të gjitha vendet që morën vendimin për të ndërhyrë në Libi, përfshirë Amerikën, duhet të veprojnë me një energji të rinovuar dhe me perspektivën se NATO, pavarësisht të metave dhe gabimeve, duhet të triumfojë.

* Autori është ish-i dërguar i posaçëm për Kosovën dhe ndërmjetës i Marrëveshjes së Paqes në Dayton

KOMENTE