...Aktualisht, administrata është e kapur për fyti nga politika dhe rrymat që ajo prodhon. Për të vërtetuar këtë, mjafton të vëzhgosh zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor. Politika shqiptare nuk e shikon meritokracinë si zgjidhje të shumë proceseve që kanë të bëjnë me reformat, por ajo është në mënyrë të rëndomtë e interesuar thjeshtë për votën e qytetarit...
Dr. Alban Daci
Jo çuditërisht, por vetëm pak ditë pasi u transmetua në Top Show emisioni “Miku në punë”, në të cilin u paraqit fytyra e vërtetë e punësimit në Shqipëri, Kryeministri mbajti një fjalim, ku foli për reformimin e administratës publike. Madje, ai ripërsëriti edhe premtimin për hapjen e një universiteti të posaçëm për administratën.
Administrata shtetërore në 20 vitet e fundit është karakterizuar nga mungesa e profesionalizmit, mungesa etike në komunikacion, indiferenca totale ndaj qytetarit dhe shërbimeve esenciale, që ai ka nevojë.
Sot, administrata shtetërore po kalon, ndoshta, momentet më të këqija të gjithë periudhës 20 vjeçare. Nëse më parë ka pasur momente, kur ndonjëherë meritokracia zbatohej dhe funksiononte, sot ajo është jo ekzistuese.
Sot, administrata shtetërore në përgjithësi dhe ajo publike në veçanti është e mbytur me nepotizëm dhe pazare të fëlliqura. Të gjithë e dinë këtë situatë, sepse e përjetojnë çdo ditë, por pak persona, ose thuajse fare, kanë guxim të flasim.
Aktualisht, administrata është e kapur për fyti nga politika dhe rrymat që ajo prodhon. Për të vërtetuar këtë, mjafton të vëzhgosh zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor. Njerëz që nuk kishin asnjë lloj kualifikimi përpiqeshin të bënin me çdo kusht sa më shumë vota, sepse vetëm kështu mund të siguronin një vend pune.
Politika shqiptare nuk e shikon meritokracinë si zgjidhje të shumë proceseve që kanë të bëjnë me reformat, por ajo është në mënyrë të rëndomtë e interesuar thjeshtë për votën e qytetarit. Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më një beteje për të ardhmen e vendit, por thjeshtë pazare votash, të cilat duhet t’i shërbejnë vetëm pushtetit politik dhe jo jetës së qytetarit.
Jam përpjekur të vëzhgoj me kujdes aktivitetin e disa partive politike në zgjedhjet e fundit dhe këtë e kam bërë për të studiuar nga afër politikën shqiptare. Nga ajo që kam vëzhguar drejtpërdrejt mund të them se politika shqiptare përbëhet me njerëz që nuk kanë asnjë lloj vizioni, asnjë lloj formimi kulturor. Ajo përbëhet nga njerëz, të cilët nuk kanë shprese të bëjnë ndonjë profesion tjetër dhe e vetmja mënyre e tyre për të jetuar është të merren me politikë dhe të bëjnë allishverishe nga më të ndryshmet.
Gjatë kësaj kohe kam parë njerëz që nuk kishin as arsimimin e mesëm, që nuk kishin asnjë ide mbi teoritë politike, por thjeshtë kishin besnikërinë për shefin dhe dëshirë për të luftuar edhe trup më trup për një votë më shumë. Në shumicën e rasteve kur flisja me ndonjë pseudopolitikan, më nënvizonin faktin se nuk ka rëndësi shkolla apo karriera, por sa i zoti je të bësh vota.
Madje, njëri më tha drejtpërdrejt na bëj ndonjë votë se kështu do të rregullohesh, ndryshe pijë me ujë ato diploma që ke. Pra, e keqja më e madhe në administratën shqiptare vjen nga politika dhe nga sistemet që ajo prodhon për t’i shërbyer asaj deri në fund. Nuk e di nëse z. Kryeministër është në dijeni për gjendjen aktuale të administratës shtetërore dhe për lëvizjet, që ndodhin brenda saj.
Administrata aktuale shpreh një menefregizëm total ndaj çdo qytetari, që troket për ndonjë shërbim, apo hall në portat e saj. Pak kohë me parë Ministri i Arsimi mbajti një fjalim, ku, ndër të tjera, tha se do të mbështes studentët që janë kthyer në Shqipëri pasi kanë kryer studimet.
Unë e dija se ishte thjeshtë një premtim elektoral, por, megjithatë, këtë radhë desha ta vërtetoj vetë nëse ishte diçka reale dhe me të vërtetë mendonte për të gjithë ata që kanë studiuar jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri, apo thjeshtë ishte një tellall i radhës në politikën shqiptare.
Shkova në Ministrinë e Arsimit me dëshirën për të takuar ministrin dhe për t’i thënë se unë jam një ndër ata që jam kthyer, prandaj çfarë mund të më ofroni nga ato që premtuat një ditë më parë në televizion. Pas shumë përpjekjesh për të siguruar një takim, qoftë edhe formal me ministrin, arrita më në fund të siguroja numrin e sekretarisë së tij.
Mora në telefon sekretaren dhe prenotova një takim me ministrin e Arsimit. Për fat të keq ai mbeti thjeshtë një prenotim, sepse ai takim nuk u realizua kurrë.
Nuk është normale që Ministri i Arsimit, apo persona të tjerë, të shpërfillin problemet që kalojnë të rinjtë e sapo diplomuar, të cilët në shumicën e rasteve ndodhën në mesin e katër rrugëve, vetëm për faktin se janë pa mbështetje (nuk mund të shfrytëzojnë nepotizmin).
Është mirë të hapet një fakultet për administratën, sepse sa më shumë fakultete hapën në këtë vend aq mirë është për të gjithë, por për reformimin e administratës nuk ka shumë nevojë. Them kështu, sepse ka qindra e mijëra shqiptarë që kanë studiuar në fakultetet më të mira të shkencave politike në perëndim, ku, ndër të tjera kanë pasur edhe curriculumin e administratës publike.
Pra, Shqipërisë nuk i mungojnë burimet njerëzore, por ato për shkak të nepotizmit dhe militantizmit jo vetëm nuk shfrytëzohen, por shumë herë shpërfillen e lihen rrugëve. Mjafton të respektohet meritokracia, kur konkurset të jenë konkurse dhe t’iu hapen dyert talenteve, dhe reforma është e kryer. Kjo mund të arrihet vetëm duke ndalur mbi baza ligjore ndërhyrjen e politikës në kualifikime, punësime e çdo aktivitet tjetër shoqëror në vend.
Gjithashtu, duhet të aplikohen ndëshkime për të gjithë ata punonjës të cilët jo vetëm nuk janë korrekt në punë, por që kanë edhe ndjenjë indiferentizmi mbi qytetarin. Duhet të krijohet mbi baza ligjore, kultura e shërbimit ndaj çdo qytetarëve, qoftë i “fort”, ose i “dobët”; me “miq”, ose “pa miq”.
Politika shqiptare, duhet ta ketë të qartë se nuk mund të ketë integrim europian, pa një administratë të pakualifikuar dhe të përgjegjshme ndaj qytetarit. Gjithashtu, çështja e kthimit të studentëve që studiojnë jashtë, jo vetëm është në interes të vendit dhe shtetit, por është edhe një ndër kriteret e BE-së për integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë.
Aktualisht burokracia shqiptare bëhet politikëbërësja de facto pa qenë përgjegjëse përpara publikut. Shoqëria shqiptare, aktualisht, qeveriset nga absolutizmi burokratik, që i trajton qytetarët si objekte që duhet të administrohen e jo si qytetarë pjesëmarrës. Kryeministri është eprori u burokratit, dhe duke pasur një pozicion të tillë legjitim nuk duhet të lejojë të ndodh një gjë e tillë.
Ka ardhur momenti që reformimi i administratës shtetërore duhet të jetë ndër përparësitë kryesore të politikës shqiptare. Prandaj, thirrja e Kryeministrit nuk duhet të mbetet vetëm një premtim, siç ka ndodhur më parë, por një aksion i mirëfilltë dhe i drejtpërdrejtë.
*Dr. Alban Daci, Politolog, Studiues, Kryetar i organizatës shqiptare ‘Nuova Generazione Albanese’