English

Takimet e Topallit në Ukrainë: Bashkëpunimi ekonomik në dobi të dy vendeve

E diel, 3 korrik 2011, NOA- Në kuadër të vizitës së saj në Ukrainë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli është takuar me Kryetarin e Parlamentit të Ukrainës dhe Presidentin e vendit.

Me rastin e marrjes së presidencës nga Shqipëria të PABSEK-ut, Topalli u prit në një takim të veçantë nga kreu i parlamentit te Ukrainës Volodimir Lidvin.

Në takim, përveç temës së bashkëpunimit të vendeve të Detit të Zi dy homologët diskutuan për rëndësinë e diplomacisë parlamentare si një dimension i rëndësishëm i mbështetjes së diplomacisë ekonomike dhe bashkëpunimit në fusha të tjera.

Parlamentarët e dy vendeve u shprehën se ata, duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin, realitetet politike dhe ekonomike respektive.

Dy kryeparlamentarët ranë dakord që në të ardhmen të ketë shkëmbime midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare të ndryshme.

Në përfundim Topalli e ftoi homologun e saj për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në vijim kryeparlamentarja Topalli takoi edhe Presidentin e Ukrainës Viktor Janukoviç ku dhe diskutoi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve.

Gjatë bisedës të dy bashkëbiseduesit ishin të mendimit se vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve është ende i ulët.

“Nxitja dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik midis Ukrainës dhe Shqipërisë me interes reciprok duhet të vlerësohet me më shumë prioritet. Heqja e vizave nga pala shqiptare ndaj qytetarëve të Ukrainës është një hap i parë në këtë drejtim”, tha Kryetarja Jozefina Topalli.

Nga ana e tij Presidenti Janukoviç shprehu idenë e ngritjes së një komisioni ekonomik dypalësh. Ai gjithashtu tha se nënshkrimi i marrëveshjeve në fusha të ndryshme do të vendoste bazën ligjore për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe të fushave të tjera.

Në këtë takim u diskutua mbi mundësinë e vendosjes së një linje direkte ajrore Kiev- Tiranë.

a.y/NOA

KOMENTE