English

Turneu i Wimbledonit, Djokoviç triumfon kundër Nadal

Londër, 3 korrik 2011, NOA – Serbi Novak Djokoviç ngriti sot në qiellin e Londrës trofeun e turneut të Wimbledonit, duke realizuar ëndrrën e tij qëkur ishte fëmijë. Nga sot tenisti serb është numri një i tenisit në botë.

Djokoviç arriti të triumfojë në finalen e turneut botëror të tenisit në fushën e Wimbledonit kundër kampionit Rafael Nadal, i cili nuk humbte asnjë ndeshje në këtë fushë prej vitit 2007.

Tenisti serb e cilësoi lojën e sotme si ndeshjen më të mirë të jetës së tij.

“Është me të vërtetë dita më e bukur e jetës sime. E kam tejet të vështirë të gjej fjalët për të thënë atë që ndiej”, tha Djokoviç për mediat.

I emocionuar ai u shpreh se turneu i Wimbledonit ishte ai që kishte ëndërruar të fitonte”, duke rrëfyer se e ndiqte në ekran qëkur ishte fëmijë.

Pa i fshehur emocionet, serbi Djokoviç u shpreh se i dukej se ishte ende në ëndërr.

“Luajta dhe fitova kundër më të mirit të botës, Nadal”, nënvizoi ai.

Në më shumë se një orë lojë, Djokoviç arriti të triumfojë me një avantazh prej dy setesh kundër spanjollit Nadal, duke e mbyllur finalen e Wimbledonit me rezultatin 6-4, 6-1, 1-6 dhe 6-3.

Pas gabimeve të Rafael Nadal në momentet e fundit të setit të pestë, Novak Djokoviç shpërtheu në lotë gëzimi, e pasi u shtri në fushë i ekzaltuar, hëngri madje edhe disa fije bari nga fusha e Londrës.

Duke folur në konferencën për shtyp pas fitores, Djokoviç tha se ky ekzaltim nuk ishte aspak i përgatitur.

“U ndieva paksa kafshë në fakt, dhe doja të provoja ç’ndjesi të jepte, dhe mund të them që ishte shumë i mirë”, u shpreh kampioni serb.

Fitorja e Novak Djokoviç kulmon pikërisht pas një stine ndeshjesh të shkëlqyer për të, gjatë të cilës humbi vetëm një ndeshje, atë kundër më të mirit në fushën e kuqe, Roger Federer.

mit/NOA

KOMENTE