Nga Dorian Koçi
Në një bisedë të çlirët në një aktivitet, një ish-ambasador i regjimit të kaluar u shpreh se edhe sipas kushtetutës ai kish përfaqësuar Shqipërinë në vende të ndryshme të botës, por në të vërtetë për shkak të politikës së kohës i dukej se në fakt përfaqësonte vetëm një pjesë të vogël të kombit shqiptar. Këtu ai kish parasysh se nuk mund të ndërmerrte takime me grupe të ndryshëm të diasporës të cilët ishin të arratisur apo dhe me grupe të tjerë emigrantësh shqiptarë të larguar në emigracion para viteve të luftës së dytë botërore dhe që nuk binin dakord me politikat zyrtare të Tiranës. Në fakt, legjimiteti i ambasadorëve shqiptarë ishte i cunguar pasi përfaqësonte vetëm shqiptarët e kufijve zyrtarë, Konispol-Vermosh ndërsa një pjesë e madhe e diasporës përbëhej dhe nga shqiptarë nga viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Këtë gjë ish-ambasadori e kish ndjerë shumë herë në lëkurën e vet ku instinkti i tij diplomatik e shtynte që të vepronte në të mirë të bashkëkombësve të vet, por ja që manteli politik që ai kish veshur nuk ia lejonte një gjë të tillë. Mandej, në bisedën e tij ish-ambasadori përshkroi një lloj tjetër përfaqësimi që sipas tij ishte shumë herë më i mirë se ai pari. Më konkretisht, pas viteve 90’ dhe largimit nga radhët e diplomacisë ai kish qenë i punësuar diku në Perëndim në detyrë më të thjeshtë se e para, detyrë që në fakt e kish bërë më të lumtur sepse sipas me tij me përfaqësimin e tij të denjë kish mundur të përfaqësonte dhe vendin e vet.
Tashmë që ai banon në SH.B.A, ndihet shumë mirë kur takon shqiptarë të profesioneve të ndryshme, të gjithë të nderuar në punën e tyre dhe që sipas tij këta shqiptarë në fakt janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Edhe pse në fjalët e tij mund të dallohet një entuziazëm dhe ndoshta dhe pak hiperbolizim për rolin e emigrantëve shqiptarë nëpër botë , gjithsesi në to ka një pjesë të një vërtetë të madhe. Kjo e vërtetë lidhet me faktin se kontakti i parë i Shqipërisë dhe pasqyrimi i vlerave të saj nëpër botë pas një izolimi të gjatë dhe të mundimshëm, ishin pikërisht njerëzit e thjeshtë të saj që u larguan nga vendi në kërkim të një jete dhe kushteve më të mira. Pikërisht, në datën 2 korrik 1990, një datë që nuk ka për tu harruar lehtë nga memoria kolektive e shqiptarëve filloi dhe shtegtimi i gjatë i shqiptarëve nëpër botë, në kërkim të një jete më të mirë, por dhe në përsosje të vetvetes, si individë, për të mbijetuar dhe përshtatur në një botë që e njihnin vetëm nëpërmjet valëve të para fshehurazi të televizionit italian.
Sigurisht, që në këtë emigrim masiv të shqiptarëve nuk mund të gjeje gjithë ajkën e shoqërisë, sepse ashtu si dhe në vendet e tjera që popullsitë u kishin emigruar do të gjeje aty dhe aventurierë, njerëz të papërgjegjshëm, njerëz lehtësisht të asimilueshëm apo dhe të ekspozuar ndaj aktiviteteve kriminale, por ajo që mbizotëroi në përgjithësi ishte se shumica e shqiptarëve emigrantë arritën të mbijetonin dhe përshtateshin mirë në vendet ku emigruan. Me punën e tyre të ndershme dhe pasionin për të ndryshuar shpejt jetën e tyre ata ndryshuan gradualisht dhe opinionin dhe mentalitetin e shoqërive vendasve ku ata emigruan. Për t’ia arritur këtij qëllimi ata arritën përmes një kalvarit ë gjatë dhimbjesh dhe vështirësish që mund të shprehet shumë mirë dhe nga statusi i tyre në gjuhët e vendeve pritëse dhe gjuhën shqip, në fillim si refugjatë dhe pasta të quajtur emigrantë të jashtëligjshëm dhe së fundi emigrantë dhe qytetarë të vendeve ku banojnë dhe punojnë. Ndryshimet në jetën e tyre u pasqyruan dhe në ndryshimet në shoqërinë shqiptare pasi një pjesë e tyre punoi për një farë kohe në dhe të huaj dhe u kthye sërish në atdhe duke sjellë eksperienca dhe detaje të rëndësishme të jetës së tyre në emigracion. Kështu,të paktën dy breza u edukuan me kulturën e punës dhe morën kontakt të drejtë për së drejtë me qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Në këtë mënyrë në bazë të kursimeve të tyre ra u bënë nga kontribuuesit kryesorë të ekonomisë së rilindur shqiptare dhe në sajë të guximit të tyre për të investuar u rigjallëruan shumë sektorë të ekonomisë së shërbimeve që ishin paralizuar prej kohësh.
Duke pasur parasysh këtë kontribut real të emigracionit në ringjalljen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë është e udhës që vëmendja shtetërore të jetë më e madhe ndaj problemeve dhe vështirësive që ata hasin në jetën e përditshme aty ku banojnë dhe punojnë. Pajisja me pasaporta me ana e përfaqësive tona diplomatike është një hap i mirë dhe për tu përgëzuar por e rëndësishme do të ishte dhe tërheqja e kapitaleve të tyre këtu për të investuar në mënyrë të tillë që ekonomia shqiptare të mos mbetet e varur vazhdimisht nga remitancat e tyre por nga investimet e drejtë për së drejta. Kjo gjë do të sjellë jo vetëm hapje vendesh të reja pune, mirëqenie dhe zhvillim por do të riintegrojë në shoqërinë tonë një pjesë vitale të saj të konsideruar deri më tash periferike sepse nëse këto vite tranzicioni do të kishin nevojë për të vendosur një statujë në piedestal, aty patjetër duhet të ishte ajo e “emigrantit të panjohur” që duke punuar ndershmërisht ka përfaqësuar shumë mirë Shqipërinë, ka ndihmuar familjen e vet në Shqipëri dhe rrjedhimisht ka kontribuuar kaq shumë në zhdukjen e plagëve sociale si varfëria dhe mjerimi.
NOA