Nga Agron Tufa
Janë shtuar shumë filozofët e kryeqytetit tonë… E kjo tashmë është bërë shqetësim dhe rezignatë e madhe për auditorët e katundeve: hijet e rrapeve, gërxhet e skërkat ku piqet hardhuca në diell, vërrishtat flladitëse e sidomos sofatet e portave të avllive mbetën shkretë. Ato vetmojnë të trishta e jetime në mungesë të zërave që tjerrin logosin e ngrohur nga faqoret me rakinë e bërsive të ziera për së dyti. Filozofët e fshatit i braktisën auditorët e tyre të ngushtë, të cilët qenë shndërruar, siç i quanin ata, në “torturë të vërtetë klaustrofobike”. Dhe, megjithëse të ardhangur në proverba të thinjura popullore, filozofët, ashtu, yrrja-byrrja u dyndën nga katundet e ndryshme të Shqipërisë në kërkim të një auditori të ri, në të cilin mençuria e tyre të vërshonte si përroskat e rrëmbyera të shtatorit në një liqen të përbashkët të urtësisë popullore. Nuhatja e tyre i çoi në fillim te njohjet e thjeshta vetjake. Kështu, pak e fije, çifte-çifte, u mblodhën në pikat e grumbullimit për gazetarë, duke e zgjeruar llojin e vet e duke e tjerrë logosin e tyre deri në shtypin qendror. Është një trajektore e lodhshme rrugëtimi të gjatë ajo e filozofëve të fshatit, që kulmon me konsolidimin dhe organizimin numerik e ideor, që nga hija e Lisit para Galerisë Kombëtare dhe deri te rezidenca e tyre permanente në Rrugën e Kavajës. FFQT (Forumi Filozofik “Qoftore Tymi”), siç e kanë quajtur ata lokalin, po bëhet një nga shkollat filozofike më dominuese të kohës sonë. Aty shtrohen çështjet më të rëndësishme morale, politike e letrare të shtetit shqiptar dhe, gjykuar nga cilësia e rakisë, resë së tymit të qofteve, kripës me piper të kuq dhe turshisë, mund t’ia qëllosh dhe stilit të tyre filozofik. Si zakonisht, rëndësi të madhe në shkollat e reja filozofike ka “shtrimi i çështjes” për diskutim. Filozofët e FFQT i ha tinës haseti të konkurrojnë me shkollën e Miletit, Aleksandrisë apo Pergamit, sepse, sipas tyre, ndonëse të lashta, mendimi i këtyre shkollave u deformua ndër shekuj nga “filozofët e oborreve”, të cilët, “të mbytur në privilegje”, “të paguar për të heshtur” dhe, sidomos, larg rakisë së përftuar nga zierja e dytë e bërsive, e patën humbur kthjelltësinë e arsyetimit dhe moralin për t’u përballur me të vërtetat.
Kryepari i filozofëve të “Qoftore Tymi” u zgjodh njëzëri mjeshtri i rebuseve popullore të Dënglave, folkloristi Saatedin Stafidhja. Më këtë veprim tarafi i Dënglave e zbuti për fare mërinë e tij të dokohshme, ngase nuk ia pranuan propozimin e tij brilant për ta pagëzuar Forumin me emrin “Gërr-Mër”, duke e quajtur këtë emërtim si tepër të influencuar nga i vetmi shkrimtar që kemi me famë ndërkombëtare. Siç i takonte nderit të FF – “Qoftore Tymi”, të parën çështje filozofike e shtroi vetë Saatedin Stafidhja. Të gjithë ia kishin ngulur sytë e gapërruar nga rakia e mareve. Disa sosh ngrinë me kleçka midis dhëmbëve kur Saatedini u ngrit, drejtoi atë pak shtat të mbështjellë në tymin e qofteve dhe të duhanit dhe, duke përtypur një gorricë të padukshme, hipotetike në gojë (kohë gjatë së cilës thukej e presohej si shtresë ozoni dilema torturonjëse e popullit), e qiti, më në fund, delfinin e ndritshëm nga ujërat e mençurisë popullore, sa për t’i bërë një blic dilemës filozofike të formuluar kështu: “Cila ndikon më fort në brejtjen e të ndenjurave të krimbura nga kujtimet: brenga e mendimit apo mendimi i brengosur?”
Dhe midis heshtjes që pllakosi dhe avujve të tymit dëgjohej gërvima e nxituar e stilolapsave të dishepujve që shënonin në blloqet e tyre të xhepit dilemën më të famshme, që shteronte deri në pikën e fundit krejt rrafshin e të vërtetave, krejt koloritin e qenieve të tyre.
Dhe plasi tejpërtej fuqia pasionante e logosit të ri në Rrugën e Kavajës! Dhe përthyheshin koncepsione, akrobaci, paradokse, teza, antiteza filozofike – përrenj të harbuar ligjërimorë që shkarkoheshin nga gazetat lokale deri te shtypi qendror. Dhe bubullinte logosi në Rrugën e Kavajës. Dhe “Qoftore Tymi” nuk i përballonte dot dishepujt që zunë të shkulen nga qyteti modern i Kamzës, Kombinati e Farka, andaj u pa e udhës të hapeshin me shpejtësi disa Forume të tjera Filozofike “Qoftore Tymi” me nënadresat përkatëse (seksioni i Bllokut, seksioni i Laprakës, seksioni i Bërrylit etj.). Dhe zuri t’i vizitojë të gjitha forumet-qoftore filozofi i madh Saatedin Stafidhja. Dhe kudo që shkonte, dishepujt e tij të vjetër e të rinj ia spërkasnin thinjat, në vend të parfumeve, me raki mëni, mareje, rrushi e kumbulle. Dhe dalëngadalë behari filozofik po vinte me mykun dhe myshkun e mendimit. Dhe mënd pëlcisnin kolonat e gazetave nga këndvështrimet befasuese në zbardhjen e dilemës torturonjëse të Saatedin Stafidhes (tashmë të moderuar): “Çfarë mbetet pandryshueshëm në brejtjen e të ndenjurave të krimbura nga kujtimet: brenga e mendimit apo mendimi i brengosur?”. Dhe u përftua kështu, në vend të shkollës filozofike, një lëvizje e tërë, fryma e së cilës rrezikonte të dilte jashtë kontrollit, për shkak të pasioneve të harbuara diskursive.
Dhe et dixit Magister, Saatedin Stafidhja me thinja të lagura nga paguret e dishepujve: “Nga Oborri në Oborr/ i llagartë rrjedh uj’ i Lanës./ Midis horrash, cili horr/ ma kalon si asnjanës?/ Qeni ka vetinë e vyer/ (ndryshe s’ka pse quhet: qen/ me stërdhëmbët e ndërkryer/ kafshon dorën q’e ushqen”. Dhe angulliu turma e dishepujve nga poezitë filozofike të Stafidhes. Dhe e quajtën Stafidhen “një Sokrat i ditëve tona”; një “Zenon i ri”; një “Diogjen me fenerin e vargjeve në terrin e tymtë të qoftoreve”. Dhe u bë filozofi i qoftoreve mendimtar i madh, enigmatik, i cili bluante të papritura në gorricën e padukshme që përtypte para se të flasë. Dhe, siç ndodh, ajme, me moshat e plakura, edhe Saatedin Stafidhja, iu largua filozofisë origjinale nga nisi lavdia e tij e përkorë me të famshmen “shkollë të dekonstruktimit të llogjeve të Kavajës” (patronim ky, që shenjonte toposin real të rrugës ku ishte themeluar Forumi Filozofik “Qoftore Tymi”), sepse pas shkëlqimit dhe zenitit vjen mjerimi dhe rënia e plakut kurtizan, por ama të paanshëm, Saatedin Stafidhes, i cili ka kohë që pas dhëmbëve nuk përtyp më kurrfarë gorrice të mendimit, por një filozofi në përputhje me takatin e tij, të cilën, përkundër vullnetit dhe bindjeve të tij, e kanë pagëzuar “Derdimenomania pa kufi në epokën digitale”.
Gazeta "Panorama"