English

Ina Rama: Ligji antimafia, i vështirë por ia dolëm

Seul, 4 korrik 2011 NOA- "Tranzicioni i Shqipërisë për në demokraci nuk ka qenë i lehtë. Nga rrënojat e një regjimi që pak i respektonte të drejtat e njeriut dhe ku ligjet aplikoheshin në mënyrë selektive sipas tekave politike, institucione të reja u deshën të krijoheshin, të cilat duhet t`i përgjigjeshin aspiratave demokratike të vendit".

Kështu është shprehur prokurorja e përgjithshme Ina Rama, në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombetare të Prokurorëve dhe në Samitin e 4-t Botëror të Prokurorëve të Përgjithshëm, aktivitete te cilat, u mbajtën në Seul të Koresë së Jugut.

Në referatin e saj kryeprokurorja shqiptare nënvizoi se dy dekadat e fundit kanë qenë një periudhë e transformimeve të mëdha, sfidave dhe sukseseve për shërbimin e prokurorisë shqiptare.

“Sot ne jemi krenarë që nëpërmjet punës sonë intensive dhe profesionale gjatë viteve të fundit, mundësitë për këto organizata kriminale po zvogëlohen, ndërsa vendi është larguar nga të qenit një njollë e zezë në hartat ndërkombëtare të agjencive të zbatimit të ligjit. Sidoqoftë, lufta jonë kundër organizatave kriminale, qoftë lokale qoftë ndërkombëtare, është e lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”, deklaroi prokurorja e përgjithshme.

Më tej, Znj. Rama trajtoi dhe çështjen e ligjit antimafia, për sekuestrimin dhe konfiskimin jashtë procesit penal të pasurive që burojnë nga krimi organizuar, si një koncept i ri në legjislacionin shqiptar sepse e kthen barrën e provës tek personi, pasuria e të cilit dyshohet se buron nga veprimtaria kriminale.

“Megjithëse ka vend për përmirësim të mëtejshëm, rezultatet që kemi marrë nga këto njësi të përbashkëta hetimore kanë qenë befasuese, në veçanti lidhur me rastet komplekse të korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës, kontrabandës së naftës dhe hetimeve mbi krimin elektronik”, tha Ina Rama.

a.q/NOA

KOMENTE