English

Ndërtimi dhe matrica e prodhimit ekonomik

Nga Eduard Zaloshnja

Matricat e prodhimit ekonomik (njohur nga ekonomistët me termin anglisht “matricat input-output”) kanë gjithnjë një sektor lokomotivë në një vend të caktuar, në një kohë të caktuar. Kështu, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, sektori i internetit përbënte lokomotivën e ekonomisë amerikane. Ndërsa në dekadën e parë të këtij shekulli, këtë rol e luajti sektori i ndërtimit. Në mënyrë të ngjashme (por për arsye të ndryshme), edhe në Shqipëri sektori i ndërtimit ka qenë lokomotiva e ekonomisë.

Megjithëse ndërtimi ka realizuar vetëm rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri gjatë dekadës së parë të këtij shekulli, ka qenë sektori me rritjen më të lartë në ekonominë shqiptare. Kështu, prodhimi i të gjithë mallrave dhe shërbimeve pati gjatë dekadës së fundit një rritje prej vetëm 65% në vlerë reale (vlera reale presupozon mbajtjen e çmimeve fikse, pra, zhveshjen e ndikimit të rritjes së çmimeve në vlerë). Nga ana tjetër, duke mbajtur çmimet fikse, sektori i ndërtimit rezultoi me një rritje prej pothuaj 300% gjatë së njëjtës periudhë. Pra, parë thjesht nga pikëpamja aritmetikore, duket qartë roli i ndërtimit në rritjen e lartë ekonomike të dekadës së fundit.

Por marrëdhëniet e rritjes së sektorit të ndërtimit me rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk janë vetëm aritmetikore. Siç u përmend më lart, ky sektor ka luajtur rolin e lokomotivës në matricën e prodhimit ekonomik shqiptar. Kjo, sepse ka qenë deri më sot sektori më i ndërlidhur me sektorët e tjerë. Kështu, për shembull, ndërtimi i ndërtesave ka stimuluar prodhimin apo tregtinë e inerteve, çimentos, hekurit, pllakave, pajisjeve hidrosanitare, dyerve, dritareve, vetratave, pajisjeve elektroshtëpiake, mobilieve etj. etj. Ky stimulim përbën ndikimin e drejtpërdrejtë të sektorit të ndërtimit në matricën e prodhimit ekonomik. Por përveç tij, ka patur edhe një ndikim të tërthortë, e ndoshta edhe më të madh.

Pronarët e bizneseve që janë stimuluar nga sektori i ndërtimit, si edhe punonjësit që kanë punuar në to, kanë shpenzuar më shumë para për të blerë mallra e shërbime të ndryshme, kur porositë nga ndërtuesit janë shtuar. Nga ana tjetër, bizneseve që ofrojnë mallra e shërbime të ndryshme u është rritur aktiviteti dhe, si rrjedhojë, pronarët dhe punonjësit e tyre kanë shtuar kërkesën për mallra e shërbime të tjera. Dhe kështu me radhë, stimuli i sektorit të ndërtimit është shpërndarë në të gjithë kapilarët e matricës së prodhimit ekonomik. Me pak fjalë, mund të thuhet se efekti real i sektorit të ndërtimit në Prodhimin e Brendshëm Bruto ka qenë shumë më i madh sesa ai thjesht aritmetikor.

Por ndërtimi, kjo lokomotivë e ekonomisë shqiptare në dekadën që kaloi, ndali në vend në fundin e saj. Sipas shifrave zyrtare të Instatit, kjo lokomotivë ndaloi në tremujorin e fundit të vitit 2009. Qysh atëherë, ndërtimi ka shënuar një tkurrje të frikshme mesatare prej rreth 18% në çdo tremujor (krahasuar me një vit më parë). Dhe perspektiva është e zymtë për një rindezje të motorëve të kësaj lokomotive në të ardhmen e afërt.

Kështu, ndërtimet private kanë ngecur kryesisht sepse ka një tepri të ofertës ndaj kërkesës në përgjithësi. Në Tiranë, në bregdet, dhe në qytete të mëdha të zë syri pallate të panumërta që presin më kot që dikush të kandiset të banojë në to. Ndërsa zonat rurale përreth qyteteve janë shndërruar në një det vilash, një pjesë e mirë e të cilave kanë kate që banohen vetëm në muajt e verës, kur fëmijët emigrantë vijnë në shtëpi për pushime. Duke parë këtë situatë, mund të parashikohet se do të duhet të kalojnë shumë vjet para se mbikapacitetet aktuale të ezaurohen, dhe ndërtimet private të kapin ritme të ngjashme rritjeje me të dekadës që kaloi.

Nga ana tjetër, edhe ndërtimet publike duket se nuk kanë perspektivë të kapin shpejt ato ritme rritjeje që arritën në dekadën paraardhëse. Ulja e fundit që iu bë investimeve të parashikuara në buxhetin e shtetit janë një sinjal se qeveria nuk do të jetë më në gjendje të bëjë investime miliarda dollarëshe si më parë.

Dhe tani që ndërtimi, nga një lokomotivë e ekonomisë shqiptare, është kthyer në një vagon të fundit të saj, çfarë duhet bërë? Duhet menduar për një model të ri ekonomik, i cili do të vinte në krye të trenit ekonomik shqiptar një sektor tjetër të tij. Përndryshe, treni mund të mbesë në vend…

Gazeta "Mapo"

KOMENTE