English

PD: Edi Rama i vetmi që ushtron shantazh

Tiranë, 4 korrik 2011, NOA – Partia Demokratike iu kundërpërgjigj selisë rozë duke e akuzuar Edi Ramën se po vazhdon me ritualin e sulmeve dhe akuzave të pabaza ndaj procesit zgjedhor.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj deklaroi se Edi Rama ka ngritur mbretërinë e tij të spekullimit dhe të luftës politike pa përmbajtje në përpjekje për të dëmtuar garën që ai nuk e fitoi.

“Të gjithë e dinë se dhunë dhe presion në këtë proces ka ushtruar vetëm zoti Rama. I pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga vendimet e institucioneve të pavarura, zoti Rama ka ushtruar vazhdimisht shantazh, ndaj KQZ-së dhe ndaj Kolegjit Zgjedhor”, theksoi Mustafaraj.

Ajo nënvizoi se “Zgjedhjet lokale të 8 majit, ishin zgjedhjet më të drejta, më paqësore dhe më korrekte të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri”, një përfundim, në të cilin sipas saj, mbërritën edhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Në këtë pikë, zëdhënësja e PD-së rikujtoi se edhe partnerët ndërkombëtarë e thanë fjalën e tyre, duke kërkuar nga partitë politike të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit zgjedhor, dhe të respektojnë vendimet e institucioneve të pavarura.

Mustafaraj ripërsëriti se Partia Demokratike është e vendosur që në respekt të ligjit e kushtetutës së vendit, të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit duke pranuar pa asnjë objeksion vendimet e tyre.

mit/NOA

KOMENTE