Tiranë, 4 korrik 2011, NOA – Dy ditë para vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor në 6 korrik mbi ankesën e PS-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste Saimir Tahiri i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të ndalë presionin ndaj Kolegjit Zgjedhor.
“Është koha që kryeministri të ndalë presionin dhe dhunën ndaj Kolegjit Zgjedhor, në cilëndo mënyrë, të hapur apo të fshehtë. Është koha që drejtësia të bëjë drejtësi”, apeloi Tahiri nga selia rozë.
Deputeti socialist i bëri apel Kolegjit Zgjedhor të respektojë vetëm ligjin pasi ka jo vetëm detyrimin ligjor e kushtetues, por edhe detyrimin moral që t’u rezistojë presioneve dhe interesave të pushtetit.
“Drejtësia shqiptare është para një prove jetike për demokracinë shqiptare dhe për vetë gjyqësorin, në kushtet e një procesi zgjedhor të shkatërruar fund e krye nga KQZ-ja e Ristanit dhe e Saliut, ku çdo rregull ndryshohet sipas nevojave të pushtetit e ku vullneti i qytetarëve është shqetësimi më i vogël”, tha deputeti socialist.
Në emër të opozitës ai tha se pikërisht në momentin kur presioni dhe dhuna e pushtetit është më evidente se kurrë, Kolegjit Zgjedhor i ka lindur detyrimi historik për të gjykuar mbi kutitë e shqyera të KQZ-së, mbi votat pa kuti e kutitë pa vota, si dhe mbi llogaritë e Ristanit që janë gabim trashanik për çdo nxënës të klasës së parë.
Në këto kushte, sipas Tahirit, Kolegjit i lipset tanimë të rivendosë parimet e shtetit të së drejtës duke garantuar themelin e demokracisë që sot më shumë se kurrë kërcënohet nga korrupsioni e dhuna e Kryeministrit.
“Argumentat ligjore e logjike kundër matematikës mediokre të KQZ-së janë të qarta për cilindo qytetar, siç është evident presioni dhe dhuna e pushtetit të Sali Berishës ndaj drejtësisë e Kolegjit Zgjedhor. Të gjithë kemi parë se shkeljet, praktikat ekstraligjore e sulmi brutal kanë qenë kryefjala e pushtetit përballë vullnetit të lirë të qytetarëve të Tiranës”, deklaroi deputeti socialist.
Sipas tij në Shqipëri nuk po synohet të falsifikohet vetëm rezultati i zgjedhjeve për Tiranën, por të falsifikohet shteti i së drejtës, barazia para ligjit e i gjithë sistemi demokratik, duke kompromentuar rëndë të ardhmen evropiane të vendit e qytetarëve. “Është koha që kultura e pandëshkueshmërisë sot e kthyer në sistem për zyrtarët e korruptuar në qeveri, të mos kthehet në sistem për të mbajtur në këmbë manipulimin e zgjedhjeve nga po i njëjti pushtet. Kolegji Zgjedhor ka jo vetëm detyrimin ligjor e kushtetues, por edhe detyrimin moral që t’u rezistojë presioneve dhe interesave të pushtetit duke respektuar ligjin dhe precedentët e vendosura nga ai vetë ku me të njëjtat fakte, madje edhe më pak fakte e prova sesa ekzistojnë tani për Tiranën, Kolegji ka deklaruar të pavlefshme zgjedhjet në komuna e bashki, për të shpëtuar procesin demokratik” apeloi deputeti i PS-së Saimir Tahiri.
mit/NOA