Tiranë, 4 korrik 2011, NOA – Ambasadorja e Polonisë, Irena Tatarzinska deklaroi sot se Polonia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë të palëkundur Shqipërinë në përpjekjet për anëtarësimin në BE.
Zonja Tatarzinska uroi që Shqipëria të fitojë sa më shpejt statusin e vendit kandidat.
Ambasadorja e vendit, që sapo ka marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me presidentin e Republikës Bamir Topi dhe më pas me ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.
Ambasadorja polake Irena Tatarzinska i parashtroi Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës së radhës së Bashkimit Europian, ku më kryesoret do të jenë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes europiane.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë takimit me ambasadoren polake, ku ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të BE-së Ettore Sequi, nënvizoi se “integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është aspirata më e thellë e popullit shqiptar dhe si e tillë mbetet objektivi parësor i politikës së jashtme shqiptare”.
Kreu i Shtetit vuri në dukje angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për bashkëpunim të plotë me presidencën polake dhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
“Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe ne kemi shpresë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura e të kemi kapërcyer ngërçin e stërzgjatur politik duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtuese”, u shpreh Presidenti Topi.
mit/NOA