English

Të vësh bast sa bëjnë një edhe një !

Nga Preç Zogaj

Ka mënyra e mënyra për të fyer drejtësinë, apo për të treguar sa poshtë ka rënë ajo. Por vështirë se mund të ketë një mënyrë më domethënëse se kjo që po shohim e po dëgjojmë këto ditë në Shqipëri, me bastet, parashikimet, emocionet dhe “sondazhet” për vendimin e pritshëm të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën. Shoqëria duket e ndarë dhe kjo të heq trurin, a thua se drejtësia është plotësisht subjektive, a thua se behët fjalë për një nominim në “Big Brother” apo për një televotim në emisionin “Vallëzim me yjet”. Pjesa më e madhe e mbështetësve të qeverisë mendojnë se Kolegji do të mbyllë sytë dhe do të konfirmojë fitues Lulëzim Bashën. Për arsye të tjera, të njëjtën pritshmëri kanë edhe disa opozitarë të pashpresë, që nisen nga bindja se drejtësia është një kala, të cilën Sali Berisha është mësuar ta marrë apo ta driblojë sa herë ti interesojë apo sa herë ta ketë litarin në fyt. Ndërkaq, ka plot njerëz, opozitarë shumica, por edhe demokratë të arsyeshëm, që besojnë se ditën e mërkurë Kolegji do të vendosë në favor të kërkesës së Partisë Socialiste. Në këtë festival parashikimesh patjetër që kanë një zë të ashtuquajturit “ristanistë”, që mendojnë se Kolegji do tu bëjë bisht fakteve dhe provave të palës ankimuese me arsyetimin burracak se ankimimi është jashtë afateve ligjore. E gjithë kjo potpuri të lë shijen e një hidhërimi të madh për raportin e deformuar e të gabuar të publikut me drejtësinë dhe të drejtësisë me publikun në këtë vend. Posaqë vendimet e drejtësisë mund të luhen në skedinë, merret me mend se çfarë mendojnë njerëzit për pavarësinë dhe objektivitetin e pushtetit gjyqësor, që teorikisht vjen i dyti, pas pushtetit legjislativ, në rendin e pushteteve të pavarura në sistemin demokratik.

Përse?- mund të pyesë ndokush. Mos është e ndaluar që njerëzit të venë baste për një vendim të pritshëm gjykate? A nuk janë emocionet një gjë më se e natyrshme në ngjarje të tilla? Sigurisht që nuk është e ndaluar. Madje ka plot raste kur nuk është fyese për gjykatën të vihen edhe baste për vendimet e saj. Ka gjithnjë dy a me shumë të drejta që “konkurrojnë” para trupit gjykues. Ka gjithnjë të panjohura, që lidhen me vërtetësinë dhe analizën e fakteve, me interpretimin e rrethanave dhe ligjeve, me vetë subjektivitetin e gjykimit për çështje që janë “edhe kështu, edhe ashtu”. Kodi ynë Zgjedhor ka mjaft boshllëqe dhe formulime të rrumbullakosura, që mundësojnë spekulimet dhe subjektivizmin politik.

Por…por nuk është ky rasti me ankimimin që do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor ditën e mërkurë. Nuk është më një çështje që ka të bëjë me interpretimin e neneve të shkruara me fjalë, me interpretimin e interpretimit të një dispozite apo me interpretimin e interpretimit të interpretimit, siç ka ndodhur disa herë në praktikën tonë gjyqësore kur vendimmarrja ka synuar të dalë me tendencë dhe sforcim në një qafë të caktuar. Kolegji Zgjedhor kësaj radhe do të gjykojë mospërputhjen e numrit të votave me numrin e votuesve. Pra do të gjykohet për numra, jo për fjalë. Nëse fjalët janë llastik, shifrat janë prej guri, thotë një urtësi e vjetër. Nëse kishte hapësirë për baste dhe subjektivizëm në dy përballjet e mëparshme, kësaj radhe, në përballjen e tretë të opozitës me KQZ-në dhe qeverinë në Kolegjin Zgjedhor, nuk ka kurrfarë hapësirë për subjektivizëm. I vetmi sqarim që mund të bëhet është a janë kopsitur dhe a i përgjigjen pikë për pikë gjendjes reale të kutive numrat e mospërputhjes që ka publikuar e paraqitur në Kolegj Partia Socialiste. Por edhe ky sqarim duket i tepërt dhe i tejkaluar për publikun e gjerë, sa kohë që mospërputhjen e shifrave e ka pohuar edhe Arben Ristani, personi që ka nënshkruar me emrin e tij gjithë katrahurën për Tiranën.

Përtej këtij sqarimi dhe verifikimi, gjithçka tjetër i ngjan një filmi që e kemi parë më parë. Në themel çështja rezulton e “gjykuar” nga standardi i vendosur gjatë gjykimit të çështjeve identike nga vetë Kolegji Zgjedhor. Ky është një standard i prerë, që mbështetet në klauzolat e Kodit Zgjedhor dhe në parimin kushtetues të barazisë së votës. Në vitin 2003 Kolegji Zgjedhor shpalli të pavlefshme dhe urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në 130 qendra votimi në Tiranë për shkak të mospërputhjes së matricës së votave. Në zgjedhjet vendore të këtij viti, që janë ende në proces, Kolegji ka urdhëruar përsëritjen e tyre në komunat Kolsh të qarkut të Lezhës dhe Armenaj të qarkut të Vlorës për mospërputhje njëshifrore të numrit të votave me numrin e votuesve. Duket qartë se shifrat kanë gjuhën e tyre të hekurt. Gjyqtarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse ta hedhin atë në letër me korrektësi. Barazia e votës është një parim kushtetues i padhunueshëm jo vetëm për votat e hedhura në kutinë e gabuar, por edhe për votat e hequra nga kutia e duhur apo për votat e hedhura mbi numrin e votuesve. Po të ndodhte ndryshe, po të përdoreshin dy masa të ndryshme vlerësimi për të njëjtën çështje, zgjedhjet do të katandiseshin në rrumpallë. Për të përligjur përmbysjen e humbjes së tij në KQZ, zoti Lulëzim Basha ka folur gjatë gjithë kohës për domosdoshmërinë e leximit të votës së çdo qytetari. Fjali e përgjithshme, që nuk thotë asgjë për rregullat e shkelura të lojës pas mbarimit të lojës, por e drejtë dhe e paqortueshme në parim. Prej ditësh kur lau duart Ristani, zotit Basha i ka lindur detyrimi të shprehet për votat tepër apo mangët, që tregojnë ashiqare se bashkë me votën e hedhur gabim nga disa qytetarë është lexuar nga Ristani me shokë edhe vota e shtuar apo e hequr me qëllim nga disa kusarë. Me gjithë defektet që ka drejtësia shqiptare, nuk ka dyshim se koherenca dhe precedentët në gjykim janë modele dhe shkollë edhe për të. Nuk mund të imagjinohet që i njëjti Kolegj të marrë vendime të ndryshme për çështje që janë të njëjta. Madje rasti i Tiranës është më flagrant, sepse diferenca e votave nuk është njëshifrore si në Kolsh dhe Armen, por treshifrore. Mospërputhja midis numrit të votave dhe votuesve është rreth tetë herë më e madhe se sa diferenca mes kandidatëve Basha dhe Rama sipas renditjes se KQZ-së. Në këto kushte, në situatë normale, të vësh bast për vendimin që do të marrë Kolegji është njëlloj si të vësh bast për një ndeshje të luajtur.

Kemi shkruar e folur shpesh për format e larmishme të presionit, shantazhit dhe dhunës së pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ mbi atë gjyqësor. Shqipëria ka zënë majën e se keqes gjersa akuzohet as më pak e as më shumë, por për kulturë pandëshkueshmërie. Kriza e drejtësisë është para së gjithash përgjegjësi e klasës politike, që e dëshiron vegël të saj. Por një përgjegjësi të madhe e kanë edhe gjykata dhe gjykatësit, të cilët e kanë çuar punën në atë pikë sa të vihen baste se në vendimet e tyre një edhe një mund të bëjnë edhe tre. Sa e rendë! Sa poshtëruese!

Kolegji Zgjedhor të mërkurën ka detyrimin të verifikojë mospërputhjet e shifrave. Mbi këtë bazë Kolegji do të marrë një vendim që nuk mund të jetë tjetër veçse riverifikim i matricave sipas kutive, nëse mospërputhja konsiderohet gabim njerëzor dhe korrigjim i gabimeve eventuale. Duhet të mbajmë parasysh se gabimi njerëzor është gjithnjë i korrigjueshëm. Një gabim i pakorrigjueshëm është manipulim dhe rregullohet vetëm me përsëritje zgjedhjesh. Urdhri për përsëritjen e zgjedhjeve në kutitë me mospërputhje është opsioni më i kuotuar, madje është opsioni i padiskutueshëm në rastin e dhënë. Pa dashur të fyej njëri, unë vë bast për opsionin e përsëritjes në emër të logjikës së thjeshtë, arsyes së thjeshtë apo ushtrimit të thjeshtë se një dhe një bëjnë dy.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE