Shkodër, 5 korrik 2011, NOA- “Pasuritë e mëdha ujore do ti shndërrojmë në vlera të mëdha energjetike”, premtoi Kryeministrit Berisha gjatë inaugurimit të përfundimit të fazës së parë të punimeve të Hidrocentralit të Ashtës.
Me këtë rast ai e cilësoi HEC- in e Ashtës si një diamant që do të mbetet i tillë në kurorën e qindra hidrocentraleve që do të ndërtohen në këtë vend.
Kjo ceremoni u bë me arritjen e kuotës maksimale të stacionit elektrik të Hidrocentralit Ashta 1, që shënon përfundimin e fazës së parë të punimeve për këtë Hidrocentral, pjesë e projektit, i cili po vihet në zbatim nga kompania austriake “Energji Ashta” një kompani e përbashkët e kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN.
Në vijim Kryeministri Berisha u shpreh se, kjo është një ditë e madhe në përpjekjen e shqiptarëve për të shndërruar në realitet ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipëria, vend i zhvilluar.
Në këtë linjë, shefi i qeverisë theksoi se Shqipëria ka pasuri të gjithanshme, të shumta, por gjithnjë tha ai pasuria e saj më e madhe natyrore janë ujërat e bollshme, të pasura që e bëjnë këtë vend të vogël një Norvegji të dytë të vogël, në gadishullin e Ballkanit.
Sakaq ai përgëzoi drejtuesit e bordeve të kompanive austriake për punën e bërë dhe shprehu besimin për një të ardhme premtuese ne bashkëpunimin e gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Austrisë, veçanërisht në sektorin energjetik.
“Unë shoh një të ardhme të shkëlqyer në bashkëpunim ekonomik, kulturor, politik e të gjithanshëm me Austrinë mike. Tradita e tyre në energjinë e rinovueshme dhe atë ujore është jashtëzakonisht e çmuar për Austrinë, për Shqipërinë, por edhe për mbarë Europën. Ne mbetmi të vendosur të bëjnë çdo përpjekje të inkurajojmë ndërtimin e mbi 443 hidrocentraleve në këtë vend”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndër të tjera ai vlerësoi teknologjinë e avancuar të prodhimit të energjisë ujore, nëpërmjet instalimit të turbinave metriks, të cilat instalohen për herë të parë në botë, në hidrocentralin e Ashtës.
Sipas tij, në zhvillimin e një vendi, energjia është themeli i të gjitha themeleve, është forca lëvizëse e të gjitha fushave.
Me Ashta 1 përfundon faza e parë e projektit për ndërtimin e dy hidrocentraleve Ashta1 dhe Ashta 2 në zonën e Bushatit, në Shkodër, një investim me vlerë rreth 200 milion euro, që aplikon teknologjinë më të avancuar në prodhimin e energjisë ujore.
Në këtë ceremoni, së bashku me Kryeministrin Berisha morën pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço, Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, drejtues të bordit të kompanive austriake VERBUND AG Hydro Power dhe EVN, përfaqësues të autoriteteve lokale, ambasadori austriak në Tiranë, punonjës të kompanive, etj.
a.y/NOA