English

Elbasan, tensioni i ulët, banorët kërcënojnë bllokimin e rrugës nacionale

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA - Mungesa e energjisë elektrike dhe tensioni i ulët i saj që u ka shkaktuar dëmtimin e pajisjeve shtëpiake ka indinjuar banorët e fshatit Shirgjan në qytetin e Elbasanit.

Dhjetra banorë të këtij fshati u tubuan sot në sheshin qendror të komunës duke protestuar për tensionin e ulët të energjisë, mungesën e energjisë elektrike dhe djegien e pajisjeve shtëpiake.

Janë 100 shtëpi dhe 30 biznese, që furnizohen nga një transformator i vetëm, i cili furnizon edhe fshatin fqinj.

Banorët ankohen se tensioni elektrik, që u vjen në shtëpi është shumë i ulët, nga 100-140 Wat dhe u ka djegur pajisjet shtëpiake.

Banorët e komunës Shirgjan në Elbasan kanë protestuar edhe më parë për këtë problem, që nuk ka gjetur ende zgjidhje.

Ata thonë se kanë dy vite që e kanë ngritur këtë shqetësim dhe se gjashtë muaj më parë i janë drejtuar zyrtarisht edhe kompanisë CEZ, por nuk kanë marrë ende përgjigje.

Banorët e komunës Shirgjan kërcënojnë se në rast të moszgjidhjes së këtij problemi ata do ta përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e rrugës kombëtare Elbasan-Cërrik.

Protesta e banorëve të Shirgjanit është mbikqyrur nga policia.

mit/NOA

KOMENTE